Maqedoni

Eksodi i rinisë, mbi 12.000 të rinj lëshojnë vendin çdo vit

21.05.2026 15:15

Rreth 12.000 të rinj në vit largohen nga Maqedonia, sipas hulumtimit të Asociacionit Civilis...

Rreth 12.000 të rinj në vit largohen nga Maqedonia, sipas hulumtimit të Asociacionit Civilis. Dy të tretat e të rinjve do ta lëshonin vendin po t'u jepej mundësia, ndërsa arsyeja kryesore është cilësia e jetesës. Papunësia tek të rinjtë është 23%. Këto shifra janë shkas për mbajtjen e Forumit Kombëtar Rinor të titulluar: “Këtu jemi për të qëndruar”.
 
“Do të bisedohet për pesë tema, ato të cilat ata i panë si jashtëzakonisht të rëndësishme për t'i diskutuar dhe për të nxjerrë rekomandime të caktuara, të cilat institucionet do të duhet t'i dëgjojnë nëse dëshirojmë që ata të mbeten këtu në vendin tonë.”, - deklaroi Dragana Karovska nga HERA. 
 
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë angazhohet për krijimin e një sistemi në të cilin të rinjtë, jo vetëm që do të dëgjohen, por do të jenë edhe aktorë aktivë në krijimin e politikave në shoqëri.
 
“Angazhohemi për t'i fuqizuar kapacitetet jo vetëm të institucioneve të pushtetit shtetëror, por edhe të institucioneve të pushtetit lokal, veçanërisht oficerët rinorë, respektivisht nëpunësit, gjithçka me qëllim që nëpunësit rinorë të jenë urë lidhëse mes të rinjve dhe institucioneve të pushtetit lokal.”, - theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu. 
 
Edhe një pjesë e vetëqeverisjes lokale po përfshihet aktivisht në proces duke ndërtuar marrëdhënie partneriteti me të rinjtë. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Gostivarit janë të hapur për t'i dëgjuar problemet, idetë dhe iniciativat e tyre.
 
“Këtu mund të filloj të rreshtoj se sa investime janë bërë në këto gjashtë muaj, nëse bëhet fjalë për investim në infrastrukturë, në infrastrukturë sportive, investime në shkollat e mesme, hapjen e qendrave rinore, por kryesorja që dua të theksoj është se Qyteti i Shkupit është i hapur t'i dëgjojë këto iniciativat e të rinjve, këto ide të cilat më tej do të mund të shndërrohen në projekte.”, - u shpreh Boris Shembevski nga Qyteti i Shkupit. 
 
“Si model, por edhe si nxitje për të gjitha komunat e tjera, Komuna e Gostivarit do të japë maksimumin e saj që të arrijmë atë që themi sot këtu – të rinjtë tanë që janë këtu, të vazhdojnë të mbeten këtu në shtetin tonë dhe të japin kontributin e tyre për të ardhmen.”, - theksoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
 
Të rinjtë janë të hapur për bashkëpunim dhe rrjetëzim, por që të shfrytëzohet ky potencial, nevojiten vende për aktivitete të përbashkëta dhe dialog si ky forum, thonë organizatorët.
 
BELINDA KOKA ADEMI