Maqedoni
Eurointegrimet, Filipçe ftoi Mickoskin t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese
21.05.2026 15:28
Filipçe ftoi kryeministrin Hristijan Mickoski, që së bashku t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese....

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, dhe njëherësh kryetar i Këshillit Nacional për Eurointegrime, në kuadër të konferencës “7 dekada më vonë: nga vizioni i Shumanit deri te sfidat gjeopolitike në Evropë”, ftoi kryeministrin Hristijan Mickoski, që së bashku t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, nga aspekti gjeostrategjik, BE-ja e ka rikthyer sërish në fokus zgjerimin dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet. Ai rikujtoi qëndrimin e kryetarit të Këshillit Evropian, i cili kishte deklaruar se anëtarësimi në BE ka vetëm planin “A”, ndërsa prej atëherë çështja nuk ka lëvizur përpara. Mosanëtarësimi në BE, sipas tij, do ta çojë vendin drejt varfërisë, ndërsa të rinjtë do të vazhdojnë të largohen nga vendi.
“Shohim se ekziston vullnet në BE, që pas më shumë se 15 vitesh, sërish të aktivizohet zgjerimi. Nëse nuk jemi pjesë e këtij treni, mund të ndodhë që dyert për dekada të mbeten të mbyllura. I bëj thirrje Hristijan Mickoskit dhe Qeverisë që bashkërisht t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe për këtë veprim do ta ndajmë përgjegjësinë si koalicion i udhëhequr nga LSDM-ja.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski, nënvizoi letrën e kancelarit gjerman Merc dhe propozimin e pesë vendeve anëtare të BE-së, për integrim të përforcuar, bazuar në kriteret e përmbushura nga vendet e Ballkanit Perëndimor për tregun e vetëm evropian.
“Për të gjitha vendet e rajonit është shumë e rëndësishme të kemi një propozim të përbashkët dhe konsensual nga vendet anëtare të BE-së për atë se çfarë ata vlerësojnë se mund të mundësohet për vendet kandidate nga rajoni. Shpresoj se samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Mal të Zi, do të japë mundësi për diskutim produktiv mbi këtë temë.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski.
Zgjerim të ri të BE-së do të ketë deri në vitin 2030, por BE-ja duhet të përgatitet për anëtarë të rinj, porositi eksperti dhe negociatori kryesor kroat, Vladimir Drobnjak.
“Përgatitje e plotë për zgjerim të mëtejshëm është e nevojshme nga të dyja palët, jo vetëm nga ana e vendeve kandidate. Edhe BE-ja duhet të përgatitet për këtë. Reformat duhet të përfshijnë procedurat për marrjen e vendimeve.”, - u shpreh eksperti, Vladimir Drobnjak.
Në kohën e sfidave serioze, zgjerimi i BE-së mbetet gjeostrategjik për stabilitetin dhe sigurinë e BE-së, u tha në panelin e zhvilluar në Kuvend.
FLORIJE KAMBERI
