Ekonomi

65.7 milionë eurot për RMV-në nga Plani i Rritjes, Sali: Përkushtohemi t’i absorbojmë të gjitha mjetet

21.05.2026 15:52

Nga 65.7 milionë euro që ka fituar RMV, 30.6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror...

Nga 65.7 milionë euro që ka fituar Maqedonia e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, 30.6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime në infrastrukturë, energji, digjitalizim, arsim dhe zhvillim njerëzor, sqaroi zëvendëskryeministri Bekim Sali, i cili shtoi se mjetet po shpërndahen si rezultat i reformave të realizuara dhe progresit konkret që është arritur në muajt e fundit. 
 
“Në periudhën e tretë raportuese, shteti ka raportuar 21 hapa reformuese të realizuara. Nga këto, 16 hapa janë vlerësuar pozitivisht, ndërsa ajo që është veçanërisht domethënëse është fakti se tre hapa janë realizuar para afatit të paraparë. Kjo tregon qartë se institucionet tona nuk punojnë vetëm për të arritur afate minimale, por janë të angazhuara që reformat të realizohen me kohë, me seriozitet dhe me vizion afatgjatë. Në këtë cikël monitorimi janë ndjekur gjithsej 44 hapa reformues. Nga 29 hapa me afat deri në fund të vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë realizuar, ndërsa institucionet vazhdojnë intensivisht punën edhe për hapat që ndodhen në periudhën “grejs” deri në qershor dhe dhjetor 2026.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime, Bekim Sali.
 
Më tej Sali tha se ai bashkë me Qeverinë do të kujdesen që nga BE-ja të thithen të gjitha mjetet që janë për destinim në vendin tonë, dhe, mos të ndodh kthimi i tyre prapa në mungesë të mosrealizmit të reformave dhe pamundësisë menaxhuese të tyre.
 
“Unë me përgjegjësi më të madhe edhe politike edhe morale e them se ky formacion qeveritar politik, me përkushtim shumë serioz dhe është e dukshme sa jemi të përkushtuar në përmbushjen e këtij detyrimi që është marrë nga qeveria paraprake. Dinamikën e punës e kemi përshpejtuar shumë, por edhe qasjen në metodologjinë e punës brenda institucioneve e kemi ndryshuar dhe kjo po jep rezultate.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Bekim Sali.
 
Drejtuesi me eurointegrimet ripërsëriti se Bashkimit Evropian mbetet prioritet strategjik dhe përkushtim afatgjatë i shtetit, duke siguruar përgjegjësi dhe dinamikë të mëtejme për realizimin e  kushteve dhe reformave.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU