Maqedoni
Tragjedi në unazën e Shkupit, katër të vdekur nga përplasja me kamionin
22.05.2026 14:11
Një aksident rrugor me pasoja katastrofike ka tronditur mbrëmë unazën e Shkupit, në afërsi të fshatit Mirkovcë...

Një aksident rrugor me pasoja katastrofike ka tronditur mbrëmë unazën e Shkupit, në afërsi të fshatit Mirkovcë. Katër persona kanë humbur jetën në vend, pasi një kamion me gjysmërimorkio u përplas dhunshëm me një automjet të tipit BMW, i cili pas goditjes shpërtheu në flakë, duke u shkrumbuar plotësisht. Sipas informacioneve fillestare nga Ministria e Punëve të Brendshme, kamioni drejtohej nga një shtetas i Kosovës, 76 vjeç. Për arsye ende të panjohura, ai ka humbur kontrollin, ka thyer mbrojtëset anësore të rrugës dhe ka kaluar tërësisht në korsinë e kundërt, duke goditur direkt makinën ku udhëtonin viktimat.
“Bëhet fjalë për një automjet të huaj, një kamion i cili drejtohej nga një shtetas i huaj, i cili ka kaluar nga njëri drejtim i lëvizjes rrugore, duke thyer mbrojtëset anësore, në kuadër të drejtimit tjetër të lëvizjes dhe gjatë përplasjes automjeti i udhëtarëve ka shpërthyer dhe ka ndodhur kjo katastrofë që ka ndodhur. Shkaqet ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht. Ende nuk kemi zyrtarisht një arsye se pse shoferi ka kaluar krejtësisht në anën tjetër të rrugës.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Skena kulturore në vend është në zi. Mes viktimave të identifikuara është baritoni i njohur dhe solisti kryesor i Operës dhe Baletit të Maqedonisë, Risto Velkov, së bashku me djalin e tij 20-vjeçar. Ndërsa institucioni i Operës u nda me dhembje nga kolegu i tyre, mjekësia ligjore po punon për identifikimin e viktimës së katërt. Shoferi 76-vjeçar i kamionit tashmë është shoqëruar në stacionin policor për marrje në pyetje me urdhër të Prokurorit Publik. Ekspertiza në vendngjarje zgjati rreth 6 orë duke bllokuar qarkullimin, ndërsa aktualisht trafiku në këtë aks, përfshirë edhe drejtimin drejt Kosovës, ka rifilluar normalisht.
ERSAN PAJAZITI
