Botë

Konflikti ShBA – Iran, përpjekje e re për arritjen e marrëveshjes

22.05.2026 14:22

Pakistani ndërmjetëson në një përpjekje të re diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit....

Pakistani ndërmjetëson në një përpjekje të re diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Teheranit. Edhe pse ka sinjale për afrimin e qëndrimeve, pasurimi i uraniumit dhe kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbeten pengesat kryesore. ShBA-ja përsërit se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe paralajmëron për “masa drastike”, ndërsa rrit gatishmërinë ushtarake në rajon.
 
“Do të sigurohemi që ata të mos kenë armë bërthamore ose do të na duhet të bëjmë diçka shumë drastike. Do ta marrim edhe uraniumin e pasuruar në nivel të lartë, ndoshta do ta shkatërrojmë, por nuk do t’u lejojmë ta mbajnë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Nga Teherani konfirmuan se janë duke shkëmbyer mesazhe për një kornizë të mundshme marrëveshjeje, por programi bërthamor nuk është tema kryesore. Ata paralajmëruan për pasoja serioze në rast të një sulmi. Ndërkohë, lideri suprem Mojtaba Khamenei ndaloi nxjerrjen e uraniumit jashtë Iranit.
 
“Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit hodhi poshtë raportimet mediatike se çështjet bërthamore janë pjesë e negociatave me ShBA-në, duke thënë se bisedimet janë fokusuar në përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.”, - thuhet në njoftimin e Agjencisë Shtetërore Iraniane e Lajmeve.
 
Në të njëjtën kohë, Irani forcon pretendimet për kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, gjë që për Uashingtonin është e papranueshme dhe do ta bënte të pamundur një marrëveshje diplomatike.
 
“Irani po përpiqet të krijojë një sistem tarifash. Po përpiqen ta bindin Omanin t’u bashkohet. Nuk besoj se ka ndonjë shtet në botë që e mbështet këtë, përveç Iranit.”, - theksoi sekretari i Përgjithshëm Amerikan, Marko Rubio.
Reagime pati edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat thanë se përpjekjet për kontrollin e ngushticës janë joreale.
 
“Pas një disfate të qartë ushtarake, regjimi përpiqet të imponojë një realitet të ri, por përpjekjet për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit janë vetëm fragmente ëndrrash.”, - thuhet në një njoftim nga Anëar Gargash.
 
Konflikti aktual në Iran ka ulur parashikimet e Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike dhe ka rritur pritshmëritë për inflacion dhe borxh publik, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
 
“Edhe pse ekonomia e BE-së mbetet e qëndrueshme, tensionet gjeopolitike dhe çmimet e energjisë e komplikojnë ndjeshëm perspektivën ekonomike.”, - u shpreh komisionari për Tregtinë dhe Shërbimet Financiare – BE, Valdis Dombrovskis.
 
Tregjet botërore mbeten të kujdesshme, ndërsa çmimet e naftës vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, për shkak të frikës nga një përshkallëzim i ri në Lindjen e Mesme.
 
FARIJE DAUTI BAKIU