Maqedoni
Anëtarësimi në BE, LSDM: Me Kushtetutën, të kapim trenin e fundit
22.05.2026 14:32
LSDM fton për ndryshime kushtetuese që Maqedonia të kapë trenin e fundit për në BE...

LSDM fton për ndryshime kushtetuese që Maqedonia të kapë trenin e fundit për në BE, në momentin kur Unioni ka hapur procesin e zgjerimit si top prioritet. Zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska, thotë se shansi nuk duhet lëshuar, pasi në të kundërtën vendi rrezikon izolimin, ngecjen ekonomike dhe ikjen e mëtejme të të rinjve.
“Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ftoi Hristijan Mickoskin në përgjegjësi shtetërore që së bashku të votojnë ndryshimet kushtetuese. Jemi të gatshëm që plotësisht të ndajmë përgjegjësinë në këtë proces, sikurse këtë e kanë bërë të gjitha partitë politike në shtete të cilat me sukses kanë negociuar dhe janë bërë anëtare të BE-së. LSDM nuk pajtohet me propozimin për anëtarësim shoqërues, pa anëtarësim të plotë në BE.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
VMRO – DPMNE: Filipçe të vendoset në anën tonë
Sipas VMRO-DPMNE-së, Filipçe nuk din të udhëheqë partinë e lëre më shtetin, duke u vënë në shërbim të autoriteteve bullgare për t’u rikthyer në pushtet.
“Kur vijmë te tema ndryshime kushtetuese, këtu Bullgaria thotë qartë se ky nuk është hapi i fundit i Maqedonisë, të cilin duhet ta përmbushin që të bëhet pjesë e familjes evropiane. Në vend që Filipçe të bëjë thirrje për bashkim për ndryshimin e Kushtetutës me përfshirjen e bullgarëve; mundet që një herë të ndalet në anën e Maqedonisë, të anës maqedonase dhe t’i bashkëngjitet VMRO-DPMNE-së në mbrojtjen e interesave maqedonase.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO – DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE ftojnë kryesocialdemokratin Filipçe të thotë nëse është pjesë e misioneve bullgare në Shkup, për të cilat flet ministrja bullgare për Punë të Jashtme, Petrova Çamova.
MERAL ISMAILI
