Maqedoni
Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Ambientit dhe kopshteve zoologjike
22.05.2026 14:43
U nënshkrua një memorandum midis Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kopshteve zoologjike në Shkup dhe Manastir...

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, u nënshkrua një memorandum midis Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kopshteve zoologjike në Shkup dhe Manastir, me qëllim modernizimin e këtyre institucioneve dhe përafrimin e tyre me standardet evropiane.
“Duam t’i transformojmë këto institucione në qendra moderne evropiane. Qendrat, para së gjithash, do të kujdesen për mirëqenien e kafshëve, mbrojtjen e botës së egër dhe edukimin e të rinjve. Po sigurojmë mbështetje afatgjate, jemi të vetëdijshëm se mbrojtja kërkon burime. Prandaj, përmes Biofin po ndërtojmë mekanizma të qëndrueshme financiare, ato do të mbështesin drejtpërdrejt punën e zonave të mbrojtura, ekosistemeve, por edhe zhvillimin e projekteve në kopshtet zoologjike.”, - deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Muhamed Hoxha.
“Kopshti Zoologjik i Shkupit ka një shekull kujdesi, përkushtimi, edukimi dhe dashurie për kafshët, njëqind vjet në të cilat breza të tërë fëmijësh kanë bërë hapin e parë drejt kuptimit të natyrës. Kopshtet zoologjike sot nuk janë vetëm një vend ku shihen kafshë, ato janë edhe qendra për edukim, mbrojtje të biodiversitetit, punë shkencore dhe rritje të ndërgjegjësimit publik për ruajtjen e natyrës. Vizioni ynë është që Kopshti Zoologjik i Shkupit të vazhdojë të zhvillohet si një qendër moderne dhe edukative, ku do të mësohet rëndësia e mbrojtjes së botës së egër.”, - theksoi drejtoresha e Kopshtit Zoologjik – Shkup, Katerina Kostova.
Në ngjarje u shfaq edhe një ekspozitë me vizatime edukative të përgatitura nga nxënës të shkollave fillore. Po ashtu nxënësit patën mundësinë të njiheshin me speciet endemike të Maqedonisë dhe të dëgjonin fakte interesante rreth mbrojtjes dhe zakoneve të tyre jetësore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
