Maqedoni
Vesna Janevska: Mbështetje për arsimin me fondet e BE-së
22.05.2026 15:05
Fondet që Bashkimi Evropian do t’i ndajë për reformat e përmbushura do të derdhen kryesisht në buxhetin shtetëror..

Fondet që Bashkimi Evropian do t’i ndajë për reformat e përmbushura do të derdhen kryesisht në buxhetin shtetëror, ndërsa shpërndarjen për arsimin do ta përcaktojë Ministria e Financave, njoftoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. Ajo theksoi se pret mbështetje për sektorin e arsimit, duke kujtuar se janë ndërmarrë reforma dhe është përmirësuar infrastruktura shkollore.
“Besoj thellësisht se do të ketë mirëkuptim, sepse kemi hapa shtesë që duhet t’i përmbushim, për të cilët nuk nevojiten mjete të konsiderueshme, me qëllim që përsëri të mund të marrim mjete nga Bashkimi Evropian.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
E pyetur për mbajtjen e të rinjve në vend, Janevska tha se nevojiten hapa paralelë si modernizimi i programeve studimore, përmirësimi i standardit studentor dhe lidhja më e madhe e arsimit me tregun e punës.
“Një nga hapat është përmirësimi dhe modernizimi i programeve studimore në universitetet tona, ku me ligjin e ri parashihen ndryshime në arsimin e lartë, për shembull modulariteti gjatë mësimit, nxitja e studimeve ndërdisiplinore, të cilat janë të përshtatshme me tregun e punës, si dhe shqyrtimi i kuotave për regjistrim në universitete dhe fakultete të caktuara… Gjithashtu sigurohen një numër i konsiderueshëm bursash për studentët dhe kjo praktikë do të vazhdojë. Konsiderojmë se nevojiten lloje të ndryshme bursash në varësi të nevojave të studentëve.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Janevska shtoi se po punohet edhe për forcimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës, në mënyrë që studentët të përfshihen më shpejt në procesin e punësimit. Sipas saj, ligji i ri parashikon edhe prioritet për studentët më të mirë gjatë punësimit në universitete.
BELINDA KOKA ADEMI
