Maqedoni
Ligji për lojërat e fatit, punëtorët e sektorit protestojnë kundër ligjit
22.05.2026 15:15
Të punësuarit në sektorin e lojërave të fatit protestuan kundër propozim-ligjit të ri të Qeverisë...

Të punësuarit në sektorin e lojërave të fatit protestuan kundër propozim-ligjit të ri të Qeverisë, për të cilin thonë se do të çojë në mbylljen e objekteve legale dhe humbjen e rreth 10 mijë vendeve të punës. Protesta u mbajt para qendrës tregtare “Leptokaria”, duke theksuar se distanca e propozuar prej 500 metrash nga shkollat dhe institucionet tjera praktikisht nënkupton mbyllje të shumicës së objekteve të lojërave të fatit në vend. Sipas protestuesve, nëse ligji miratohet, bashkë me familjet e tyre mbi 35 mijë qytetarë do të përballen me krizë sociale dhe mundësi për emigrim jashtë vendit. Ata theksuan se mbyllja e objekteve legale nuk do ta ndalë bixhozin, por vetëm do të krijojë hapësirë për organizim ilegal të lojërave të fatit, jashtë kontrollit të shtetit.
“Duam të dërgojmë një mesazh të qartë. Protestat tona janë një betejë demokratike për të vërtetën. Për një kohë të gjatë, lojërat e fatit janë objekt i një fushate negative. Ne nuk jemi kërcënim për të rinjtë. Kërcënim për të rinjtë është populizmi, i cili duke mbyllur objektet legale, do t’i bëjë të rinjtë pre të lehtë të lojërave ilegale të fatit që do të zhvillohen nëpër bodrume, ku shteti nuk do të ketë asnjë kontroll.”, - deklaroi përfaqësuesja e Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit, Olivera Kostova.
“Është e papranueshme që ata që ulen në kolltukë të rehatshëm të luajnë kështu me ekzistencën tonë. Prandaj, mesazhi ynë është i qartë: Nuk do të lejojmë që brenda natës të na nxirrni në rrugë. Na lini më në fund të punojmë me ndershmëri! Nëse nuk dëgjohemi tani, hapi i radhës do të jenë bllokada masive në të gjithë vendin dhe nuk do të tërhiqemi derisa vendet tona të punës të jenë të sigurta. Faleminderit!”, - theksoi përfaqësuesi i Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit, Stefan Kërstevski.
Nga shoqatat akuzojnë se Qeveria nuk ka zhvilluar konsultime me punëtorët dhe industrinë para përgatitjes së Ligjit për lojërat e fatit. Protestuesit gjithashtu paralajmëruan se protestat e sotme janë vetëm paralajmërim dhe se, nëse institucionet vazhdojnë t’i injorojnë, do të organizohen protesta masive dhe bllokada në të gjithë vendin.
FLORIJE KAMBERI
