Maqedoni

Suedi, Samiti i NATO-s, Rute: Rritja e prodhimit shton sigurinë dhe mbrojtjen

22.05.2026 15:40

Rute shtroi nevojën për rritjen e prodhimit të industrive, në mënyrë që të forcohet siguria nën ombrellë e aleancës....

Investimet në mbrojtje, zhvillimi i industrive mbrojtëse, mbështetja e vazhdueshme për Ukrainë, siguria në Evropë dhe çështja e Iranit, në fokus të takimit të samitit të NATO-s në Suedi. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, shtroi nevojën për rritjen e prodhimit të industrive, në mënyrë që të forcohet siguria nën ombrellë e aleancës.  Vëmendje në takim merr edhe mbështetja e Ukrainës, situata në Iran dhe çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
 
“Ne duhet të prodhojmë më shumë për të ruajtur parandalimin dhe mbrojtjen tonë. Por, gjithashtu ka përfitime të mëdha në aspektin e industrisë së mbrojtjes dhe ndikimeve shoqërore, përmes vendeve të punës, hapjes së fabrikave të reja, linjave të reja të prodhimit në të dy anët e Atlantikut, si dhe forcimit edhe më të madh të lidhjes transatlantike. Dhe, natyrisht, Ukraina do të jetë në agjendën e sotme, për t’u siguruar që Ukraina të mbetet e fortë në luftë… kemi këtu ministrat e jashtëm, prandaj do të diskutojmë çështje të politikës së jashtme. Dhe një nga çështjet më të mëdha tani, sigurisht, është Irani, Ngushtica e Hormuzit dhe çështja e lirisë së lundrimit.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
 
Mucunski: Diskutohen rreziqet e mundshme në Ballkan
 
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me këtë rast tha se takimi paraqet një mundësi të rëndësishme, për të parë se çfarë është arritur që nga samiti i Hagës, nevoja për të realizuar zotimet e marra nga ky samit dhe finalizimin  për samitin e ardhshëm në Ankara. Mucunski shtoi se Ballkani Perëndimor mbetet një zonë në Evropë ku ekziston ndikim serioz keqdashës nga faktorë të jashtëm dhe ku ende ekzistojnë rreziqe të sigurisë, duke vlerësuar se takimi do të jetë një mundësi për të diskutuar si sfidat, ashtu edhe mundësitë përpara.
 
“Në Ballkanin Perëndimor, rajoni i Evropës, ku ka keqdashës seriozë nga faktorë të jashtëm dhe ku ende ekzistojnë rreziqe të sigurisë, NATO-ja është një aleancë që po bëhet gjithnjë e më e fortë falë përkushtimit tonë për shpenzime prej 5% për mbrojtjen.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. 
 
Në samitin e paktit veri-atlantik pritet të miratohen vendime të rëndësishme për strategjinë e ardhme të NATO-s, për rritjen e buxhetit dhe arkitekturën e sigurisë së aleancës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU