Mucunski u takua me Çamovën, Sofja insiston në ndryshime kushtetuese
Në margjinat e takimit ministror të NATO-s në Suedi...

Në margjinat e takimit ministror të NATO-s në Suedi, shefi i diplomacisë, Timço Muçunski ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me homologen bullgare, Velislava Petrova Çamova.
Pas reagimeve për përdorimin e termit “maqedonas të veriut” nga shefja e diplomacisë bullgare dhe notës verbale drejtuar ambasadorit bullgar, të dy palët zhvilluan bisedime për rikthimin e besimit mes Shkupit dhe Sofjes.
Mucunski kërkoi zgjidhje për çështjen e hapur bilaterale që po e pengon integrimin tonë evropian.
“Ministri Muçunski theksoi nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen bilaterale, e cila po e pengon procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, duke konfirmuar qëndrimet e Qeverisë dhe duke theksuar se temat që lidhen me gjuhën, identitetin, kulturën dhe historinë maqedonase nuk mund të jenë objekt negociatash. Ministri Mucunski gjithashtu hapi çështjen e respektimit të të drejtave të pakicës maqedonase në Bullgari, duke theksuar nevojën për zbatim të qëndrueshëm të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.” – thonë nga Ministria e Punës së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, Sofja insiston në ndryshime kushtetuese dhe respektimin e të drejtave të pakicës bullgare.
“Ministrja Petrova konfirmoi qëndrimin konsistent të Bullgarisë se përmbushja e plotë e detyrimeve të marra ndaj BE-së në kuadër të konsensusit evropian të korrikut 2022 është garancia e vetme për progres të qëndrueshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Për Bullgarinë, çështje me prioritet të lartë mbetet garantimi i plotë i të drejtave të bullgarëve maqedonas.” – u shprehën nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
Megjithatë, të dy ministrat u pajtuan për nevojën e përshpejtimit të aktiviteteve për Korridorin hekurudhor 8 dhe pikën kufitare “Klepalo”. Ndërkohë, ish-ministri gjerman për Evropën, Mihael Rot, kritikoi ashpër qëndrimin e Bullgarisë për kushtëzimin e vazhdimit të integrimit evropian të Maqedonisë.
“Bllokimi i padrejtë bullgar i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut është i papërgjegjshëm dhe duhet të ndalet. Ai e dobëson BE-në, destabilizon Ballkanin Perëndimor dhe përfitim nga kjo kanë vetëm Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë totalitarë. Qeveria e re bullgare duhet të turpërohet.” – u shpreh ish Ministri për Evropën i Gjermanisë, Michael Rot.
Letra e kancelarit gjerman Merz, me të cilën kërkon që kandidatët për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor të kenë status të privilegjuar vëzhgues dhe integrim në tregun e brendshëm, është pranuar dhe po shqyrtohet në Komision; zgjerimi është vendim i të gjitha shteteve anëtare të BE-së, thonë nga Komisioni Evropian.
“Është me rëndësi të madhe që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën evropiane duke përmbushur elementin e rëndësishëm – ndryshimet kushtetuese. Ky është elementi kryesor që duhet ta shohim për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit.” – deklaroi Guillaume Mercier nga Komisioni Evropian.
Ndërkohë, në takimin ministror të NATO-s, Mucunski kërkoi që aleatët të shqyrtojnë edhe situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Në Ballkanin Perëndimor, rajoni në Evropë ka ndikime serioze dashakeqe nga faktorë të jashtëm dhe rreziku i sigurisë ende ekziston. NATO është një aleancë që po forcohet falë përkushtimit tonë për të ndarë 5% për mbrojtjen.” – tha Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Muçunski.
Tema kryesore e takimit ishte përgatitja për samitin në Ankara, marrëdhëniet mes aleatëve dhe Uashingtonit, si dhe strategjia e re e Aleancës. (Armend Murseli, TVM2)
