Botë

Lindja e Mesme, SHBA mendon t’i rikthejë sulmet ndaj Iranit

23.05.2026 17:29

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit të sulmeve...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit të sulmeve ndaj Iranit nëse negociatat për arritjen e një marrëveshjeje dështojnë.
 
Në takimin e presidentit Donald Trump me ekipin për siguri kombëtare u shqyrtuan hapat e mëtejshëm, ndërsa ndërmjetësues nga Pakistani dhe Katari arritën në Teheran për të ndërmjetësuar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
 
Pikat kyçe të bisedimeve janë ndërprerja e luftimeve dhe siguria në rrugët detare në ngushticën e Hormuzit. Më herët, Trump deklaroi se SHBA-ja do t’i marrë rezervat e uraniumit të Iranit dhe se nuk do të lejojë vendosjen e taksave për lundrim në ngushticë.
 
“Nëse i lexoni lajmet e rreme, do të mendoni se gjërat po u shkojnë mirë, por nuk është ashtu. Ata në mënyrë të dëshpëruar dëshirojnë qetësim. Ata kurrë nuk do të mund të kenë armë bërthamore dhe kjo së shpejti do të përfundojë”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Lindja e Mesme, ndërmjetësues në negociata në Teheran
 
Ndërkohë, Irani po i përforcon pretendimet e tij për kontroll mbi rrugën detare, duke porositur se armiqtë duhet t’i kuptojnë seriozisht kërcënimet nga Teherani. Misioni i Iranit pranë Kombeve të Bashkuara e akuzoi SHBA-në për “kërkesa të tepruara” që po i shtyjnë negociatat drejt dështimit. Autoritetet iraniane theksojnë se Trump nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t’i pranojë kërkesat e Iranit. 
 
“Nëse armiku bën gabime dhe përsëri gabon, do të marrë një përgjigje edhe më të madhe se më herët. Përgjigje të fuqishme dhe përfundimtare”, u shpreh komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Hasan Hasanzade.
 
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi se çdo kërkesë që Teherani t’ia dorëzojë Shteteve të Bashkuara uraniumin e pasuruar në nivel të lartë është “e papranueshme që në fillim” dhe nuk mund të shërbejë si bazë për negociata. Islamabadi ka intensifikuar procesin e ndërmjetësimit për të siguruar një raund të dytë bisedimesh direkte mes dy palëve.
 
Përpjekjet për ndërmjetësim filluan pasi Pakistani siguroi një armëpushim më 8 prill, duke ndalur luftimet dhe më pas duke pritur bisedimet më të larta mes SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979.
 
FLORIJE KAMBERI