Maqedoni

Përplasje mes BDI-së dhe VLEN-it, akuza dhe kundërakuza për ndikim serb

24.05.2026 15:19

Është ashpërsuar përplasja politike mes BDI-së dhe VLEN-it lidhur me pretendimet...

Është ashpërsuar përplasja politike mes BDI-së dhe VLEN-it lidhur me pretendimet për ndikim serb në institucionet shtetërore. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj informacioneve publike që, sipas tij, pretendojnë se zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq është bashkëpunëtor i shërbimeve inteligjente serbe.
 
Osmani tha se pretendime të tilla ngrenë shqetësime serioze për një shtet anëtar të NATO-s dhe kërkojnë sqarim urgjent nga institucionet kompetente.
 
“Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, kjo do të nënkuptonte se informacione dhe procese të brendshme të një qeverie të NATO-s mund të jenë ekspozuar ndaj një shteti jo-anëtar të NATO-s, i cili ruan afërsi të theksuar me Rusinë. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare, integritetit institucional dhe besimit brenda aleancës euroatlantike”, ka shkruar Osmani. 
 
Nga VLEN reaguan duke akuzuar BDI-në për hipokrizi, duke përmendur iniciativa dhe figura që, sipas tyre, lidhen me ndikimin serb në rajon. Në reagimin e tyre, ata përmendën iniciativën “Ballkani i Hapur”, Ohrin, Shën Naumin, si dhe Vlladimir Stajiqin, për të cilin thanë se kishte marrë pjesë në pritje zyrtare të organizuara nga Bujar Osmani në cilësinë e konsullit të nderit të Serbisë.
 
"Bujar Osmani duhet të përgjigjet qartë. Kush është Vlladimir Stajiq për Bujar Osmanin? Pse, në kohën kur Bujar Osmani krekosej me kryesimin e OSBE-së, Stajiqi ishte në pritje zyrtare si konsull i nderit i Serbisë në Maqedoninë e Veriut? Kush e ftoi? Çfarë raporti kishte me të? Shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
 
Partia shqiptare në pushtet deklaroi gjithashtu se mbetet kundër çdo ndikimi serb dhe çdo projekti që dëmton Kosovën. 
 
ERSAN PAJAZITI