Maqedoni

Kërçovë, reagime për ndarjen e fondeve kulturore

24.05.2026 15:55

Shoqatat joqeveritare shqiptare të Kërçovës, kanë reaguar ndaj vendimit të komisionit...

Shoqatat joqeveritare shqiptare të Kërçovës, kanë reaguar ndaj vendimit të komisionit për Kulturë në komunën e Kërçovës rreth ndarjes të mjeteve për projektin “Kërçova, qytet i kulturës”, i cili sipas tyre, injoron skajshmërisht kulturën shqiptare, për të cilën janë ndarë vetëm 16 përqind e mjeteve të planifikuara për këtë projekt që realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe turizmit.
 
“Ky është një diskriminim i hapur ndaj kulturës shqiptare. Janë anashkaluar projektet tradicionale të kulturës”, thotë kryetari i shoqatës “Dituria” Naim Zenku.
 
“Bazuar në rezultatet e komisionit për projektet e miratuara, duket qartë se nuk janë respektuar parimet themelore të konkursit ku janë anashkaluar projektet tradicionale të shoqatatve shqiptare, ndërkohë që për një shoqatë respektivisht një person fizik, janë ndarë mjete për shtatë projekte kulturore”, deklaroi kryetari i shoqatës “Dituria”, Naim Zenku. 
 
“Atë që ma dha komisioni e nënshkrova. Nuk kam bërë ndonjë analizë të projekteve. Thjeshtë kam miratuar propozimet e komisionit për kulturë. Do më duhet ti verifikoj këto dhe do tju njoftoj në mënyrë plotsuese”, u shpreh kryetari i komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
 
Ai u premtoi gazetarëve se së shpejti do të prezentojë përgjigje më konkrete për këto çështje që kanë të bëjnë me ndarjen e mjeteve për projektin “Kërçova, qytet i kulturës”.
 
SHABAN DALIPI