Maqedoni

24 Maji, dita e iluministëve Kirili dhe Metodi

24.05.2026 16:13

Maqedonia shënon ditën e iluministëve pansllavë Kirili dhe Metodi.

Me kete rast në Ohër, në kishën "Shën Sofia" mbahet një akademi solemne nën moton "Nga Fjala në Përjetësi", ku fjalim rasti mban edhe  kryeministri Hristijan Mickoski.
 
“Me krijimin e alfabetit të parë sllav, Vëllezërit e shenjtë Kiril dhe Metodi,  mundësuan përhapjen e fjalës së Zotit në një gjuhë të kuptueshme dhe popullore", është shprehur Kryeministri Mickovski. 
 
Presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova,  ka deklaruar se “Kirili dhe Metodi “, ndërtuan dhe ngulitën themelet e identitetit shpirtëror dhe kulturor të popujve sllavë, përfshirë  dhe atë maqedonas”.
 
Ajo theksoi se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një bartës i kujtesës kolektive, vlerave dhe ndjenjës së përkatësisë së një populli.Në Telegramin e urimit për festën e 24 Majit, lideri i LSDM-së Venko Filipce, ka shkruar që misioni i Kirilit dhe Metodit ka një rol të rëndësishëm dhe të çmuar,  ndërsa roli i gjeneratës së sotme është  të ruajë gjuhën maqedonase dhe të sigurojë një të ardhme evropiane për shtetin.
 
Manifestimet  në shenjë përkujtimi të punës së iluministëve Kirili dhe Metodi filloi të premten me vendosjen e kurorave me lule në pllajën  e universitetit Shën Kirili dhe Metodi, ndërkohë nga dita e djeshme delegacioni parlamentar i udhëhequr nga Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi ndodhet në Romë, ku mori pjesë në shërbesat fetare dhe lutjet në Bazilikën "San Clemente".