MPJ e Maqedonisë së Veriut dënon sulmet e reja ruse ndaj Ukrainës

25.05.2026 13:41

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut...

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka dënuar ashpër sulmet e fundit masive me raketa dhe dronë të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në reagimin e saj, Ministria deklaron se sulmet u drejtuan ndaj Kievit dhe rajoneve të tjera të vendit, duke shkaktuar viktima civile dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën kritike.

"Ne dënojmë fuqimisht sulmet e fundit në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë nga Rusia kundër Ukrainës", - thuhet në deklaratën e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut.

Nga Ministria përsëritin mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, mes sulmeve të vazhdueshme dhe përshkallëzimit të konfliktit.