Tensionet në Lindjen e Mesme, negociatat SHBA–Iran vazhdojnë

25.05.2026 14:39

Rënie e çmimeve të energjisë në bursat botërore...

Rënie e çmimeve të energjisë në bursat botërore, pas njoftimit të Donald Trump se negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë në drejtim të mirë.

Të dyja palët thuhet se i kanë afruar qëndrimet, por megjithë klimën pozitive në negociata, bllokada e Ngushticës së Hormuzit ende vazhdon.

Pikat kryesore të negociatave lidhen me kufizimin e programit bërthamor iranian dhe mundësinë e lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve ndaj Republikës Islamike.

Sekretari amerikan, Marko Rubio, thotë se kanë mbështetje nga vendet e rajonit, por paralajmëroi se një marrëveshje bërthamore nuk mund të arrihet shpejt dhe në mënyrë të improvizuar.

“Kemi një propozim mjaft solid në tryezë, në kushte të përpjekjeve të vazhdueshme për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin. Kemi mbështetje të madhe në Gjirin Persik dhe në nivel global. Siç tha presidenti, ai nuk po nxiton. Pra, të shohim çfarë do të ndodhë. Do t’i japim një shans diplomacisë që të ketë sukses para se të shqyrtojmë alternativat.” – tha Sekretari i Shtetit amerikan, Marko Rubio.

Sipas mediave iraniane, ende ekzistojnë mosmarrëveshje të pazgjidhura rreth armëpushimit në Liban.

Tel Avivi, sipas raportimeve, po ushtron presion mbi Uashingtonin që në marrëveshje të përfshihet një klauzolë sipas së cilës Izraeli mund të vazhdojë operacionet ushtarake në Liban, me arsyetimin e reagimit ndaj kërcënimeve.

“Jemi të gatshëm t’i sigurojmë botës se nuk kërkojmë armë bërthamore. Nuk kërkojmë paqëndrueshmëri në rajon. Burimi i paqëndrueshmërisë është Izraeli, i cili synon atë që e përshkruan si vizionin e ‘Izraelit të Madh’ dhe përdor mjete të ndryshme për të nxitur dhe mbajtur gjallë luftën, trazirat dhe ndarjet në rajon.” – u shpreh Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.

Hezbollahu i ka bërë thirrje qeverisë libaneze të heqë dorë nga negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin, të cilat janë planifikuar për fillimin e qershorit në Uashington.

“Shkatërrimi i rezistencës dhe i popullit të rezistencës dhe okupimi gradual i gjithë Libanit është pjesë e projektit ‘Izraeli i Madh’. Sa i përket Amerikës, ajo nuk është as ndërmjetëse dhe as e paanshme, por e kontrollon Izraelin sipas interesave të veta dhe vazhdimisht na bën presion të bëjmë lëshime pa pagesë.” – theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kasem.

Në kohë konfliktesh dhe çështjesh të hapura në Lindjen e Mesme, si dhe tensionesh në vendet e Gjirit, 1.6 milionë haxhinj janë mbledhur në Mekë në një nga tubimet më të mëdha fetare vjetore në botë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)