Ebola vazhdon të përhapet në rajon, alarm në Kongo, mbi 900 raste të reja me ebola

25.05.2026 15:06

Situata nga shpërthimi i Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos...

Situata nga shpërthimi i Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos po bëhet gjithnjë e më alarmante, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se numri i rasteve të dyshuara ka kaluar shifrën 900.

Dy nga tre qendrat e trajtimit të Ebola-s janë djegur nga banorët lokalë, ndërsa varrimet po zhvillohen nën shoqërim të armatosur.

Në zonat e kontrolluara nga grupet rebele M23 është vendosur karantinë e detyrueshme 21-ditore për personat që kthehen nga Bunia dhe Ituri, si pjesë e masave kundër shpërthimit të sëmundjes.

“E dimë se Bunia është epiqendra e epidemisë së Ebola-s dhe njerëzit kalojnë andej, prandaj kemi vendosur masa që të sigurohemi se askush nuk mund të hyjë në Goma pa kaluar nëpër zonën e karantinës. Personat që kthehen në Goma duhet të qëndrojnë 21 ditë në karantinë para se të bashkohen me familjet e tyre.” – tha Bija Nkinzinkiko, Drejtor shëndetësor në Kivu Verior.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se epidemia përbën rrezik shumë të lartë për Kongon, por rreziku i përhapjes globale mbetet i ulët.

Autoritetet shëndetësore përballen me vështirësi të mëdha për të frenuar epideminë, e cila tashmë është shpallur emergjencë globale.

Kriza është përkeqësuar edhe nga sulmet ndaj qendrave të trajtimit të Ebolës.

Javën e kaluar, dy qendra në lindje të vendit u dogjën pas sulmeve me zjarrvënie, në një rajon të përfshirë prej vitesh nga dhuna e grupeve rebele, zhvendosja masive e popullsisë dhe mungesa e shërbimeve bazë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)