Provimi i jurisprudencës në shqip, protesta zhvendoset në Tiranë

25.05.2026 18:15

Të martën do të mbahet protestë në Tiranë...

Të martën do të mbahet protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Marshi vjen pas protestave të zhvilluara së fundmi në Shkup lidhur me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.

Thirrja për mbështetje ndaj kërkesave të studentëve, është njoftuar përmes rrjeteve sociale nga aktivisti Mevlan Ademi.

“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Më 26 maj mblidhemi në Tiranë në orën 17:00 dhe pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si ‘të paedukatë’ që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë. Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, - shkruan aktivisti Mevlan Ademi.

VLEN me deklarata të ndryshme thonë se do të mundësojnë dhënien e provimit e jursiprudencës në gjuhën shqipe. Pritet vendimi final të cilin e paralajmëroi zëvendëskryeministri Bekim Sali, duke theksuar se konsultimet me ekspertë janë drejt përfundimit dhe vendimi final mund të merret brenda një jave.

Ndërkohë, Izet Mexhiti deklaroi se është arritur marrëveshje me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe se ndryshimet ligjore mund të realizohen brenda tre muajve.

Nga ana tjetër, Mickoski tha se zgjidhja duhet të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias. E Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov theksoi se provimi nuk është çështje politike, por juridike dhe profesionale. (Armend Murseli, TVM2)