VLEN dhe BDI me akuza ndaj njëra-tjetrës, në shënjestër, Artan Grubi dhe Nedim Rama
VLEN dhe BDI akuzojnë njëra tjetrën për korrupsion...

VLEN dhe BDI akuzojnë njëra tjetrën për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit që rezulton me pasuri të dyshimtë. Subjekti politik në pushtet VLEN pretendon se rasti Grubi po zvarritet gjersa kërkon përgjegjësi dhe veprim.
Sipas tyre, ky rast nuk guxon të përfundojë në sirtar sepse konsiderojnë se çdo zvarritje e drejtësisë dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.
“Rasti i Artan Grubit po zvarritet, ndërsa qytetarët po presin përgjigje. Njeriu që për vite ishte arkiva e gjallë e BDI-së, njeriu që di ku janë firmat, pazaret, marrëveshjet dhe aferat e pushtetit të vjetër, ende nuk po përballet me epilog institucional. Artan Grubi, bashkë me kaçakun Përparim Bajrami, dyshohet për keqpërdorime prej 8 milionë eurove në rastin ‘Lotaria Shtetërore’. Kjo nuk është dosje e zakonshme, por një nga dosjet më të rënda të sistemit të BDI-së, ku politika, biznesi, lotaria dhe pushteti u përzien për përfitime private. Prandaj, pyetja që shtrohet vetvetiu është kush po e zvarrit këtë rast? Kush ka interes që Artan Grubi të heshtë?” – thonw nga VLEN.
Ndërkohë, BDI ngre dyshime për pasurim të shpejtë të zyrtarëve të VLEN-it. Në shënjestër Nedim Rama për rritje të shpejtë të pasurisë përmes pronave luksoze, kompanive dhe kontratave me institucione publike.
Kërkojnë nga institucionet gjegjëse që ta hetojnë prejardhjen e pasursë së tij.
“Prej disa ditësh, drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, hesht në vend që t’ia spjegojë opinionit publik se si me pagën e një të punësuari në Komunën e Çairit, e më pas si këshilltar i Izet Mexhitit, ka arritur të krijojë kapital të madh financiar, në prona të paluhatshme dhe aktivitete biznesi. Përveç mungesës së përgjigjeve dhe transparencës, publiku deri më tani nuk ka parë asnjë sqarim për pasurinë për të cilën posedojmë prova. Gjatë ditëve të kaluara, BDI publikoi një sërë të dhënash që hapin pyetje serioze për pasurinë e fituar të Ramës.” – thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga BDI shtojnë se publikimet e tyre do t’ua dorëzojë edhe institucioneve prej të cilave presin të veprojnë në mënyrë aktive. Institucionet nuk guxojnë të heshtin, sepse drejtësia nuk e duron heshtjen, thuhet në komunikatën e opozitës shqiptare. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
