Maqedoni

Para deputetëve Propozim-ligji për huamarrje me kredi prej 260 milionë eurosh

26.05.2026 10:44

Para deputetëve sot është Propozim-ligji për huamarrje për nevoja të përgjithshme buxhetore...

Para deputetëve sot është Propozim-ligji për huamarrje për nevoja të përgjithshme buxhetore, në vlerë prej 260 milionë eurosh, i cili miratohet me procedurë të shkurtuar.
 
Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e 102-të, në rendin e ditës së së cilës kanë mbetur edhe tre pika. Para deputetëve sot është Propozim-ligji për huamarrje për nevoja të përgjithshme buxhetore, në vlerë prej 260 milionë eurosh, i cili miratohet me procedurë të shkurtuar.
 
Sipas Propozim-ligjit për huamarrje të Republikës së Maqedonisë me kredi nga KfW IPEX-Bank GmbH, Banco Bilbao Vizcaya Argentaria, S.A., Erste Group Bank AG, AKA Ausfuhrkredit-Gesellschaft mbH dhe Merrill Lynch International, sipas Marrëveshjes për kredi për nevoja të përgjithshme buxhetore, përfshirë edhe financimin e shpenzimeve kapitale dhe rifinancimin e detyrimeve të përcaktuara në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë, kredia do të tërhiqet në një transhë, në përputhje me afatet dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshjen për kredi. Afati për shlyerjen e kredisë është shtatë vjet, në nëntë këste të barabarta gjashtëmujore, me periudhë grejs prej tre vjetësh. Norma e interesit është variabile dhe përbëhet nga EURIBOR-i gjashtëmujor, i rritur për një margjinë prej 2,10 për qind.
 
Republika e Maqedonisë do t’u paguajë huadhënësve një provizion të njëhershëm në vlerë prej 1,4 për qind të shumës së kredisë. Republika e Maqedonisë do t’i paguajë agjentit të huadhënësve provizion në vlerë prej 12.500 eurosh në nivel vjetor – thuhet në Propozim-ligjin e publikuar në ueb-faqen e Kuvendit.
 
Në rendin e ditës së seancës parlamentare janë edhe Strategjia Fiskale e Republikës së Maqedonisë për vitet 2027 – 2031 dhe Raporti vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë për vitin 2025.