Rajon

Shqipëria synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027

26.05.2026 11:44

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillojnë sot në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare...

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillojnë sot në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare, një takim që konsiderohet kyç për vijimin e procesit të integrimit të vendit në familjen evropiane.
 
Në fokus të konferencës pritet të jenë përcaktimi i hapave përmbyllës për Kapitullin 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe Kapitullin 24, që trajton drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Po ashtu, diskutimet do të prekin reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike që lidhen me standardet e BE-së.
 
Delegacioni shqiptar do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga përfaqësues të ekipit negociator. Konferenca pritet të nisë në orën 19:30 në Bruksel. Konferenca e tetë shihet si një test i rëndësishëm për ecurinë e reformave dhe për ritmin me të cilin Shqipëria do të avancojë në fazat e ardhshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.