Botë
Netanjahu: Izraeli intensifikon sulmet kundër Hezbollahut
26.05.2026 12:02
Ushtria izraelite ka nisur një valë të re sulmesh ajrore në të gjithë Libanin...

Ushtria izraelite ka nisur një valë të re sulmesh ajrore në të gjithë Libanin, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se ofensiva kundër Hezbollahut do të intensifikohet.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se avionët luftarakë kanë goditur objektiva të Hezbollahut në Luginën Beka në lindje të Libanit, si edhe në zona të tjera të vendit. Nga ana tjetër, Hezbollahu tha se është kundërpërgjigjur me 22 sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave izraelite, duke përfshirë ushtarë, tanke, kazerma dhe ndërtesa ushtarake.
Përshkallëzimi i ri vjen pavarësisht armëpushimit 45-ditor të rënë dakord mes Libanit dhe Izraelit më herët këtë muaj, edhe pse përplasjet sporadike kanë vijuar. Netanjahu tha se Izraeli është “në luftë me Hezbollahun” dhe se ushtria duhet t’i japë grupit “një goditje shkatërruese”. Sipas tij, ofensiva izraelite ka eliminuar mbi 600 militantë të Hezbollahut, ndërsa shtoi se tashmë kërkohet “rritja e intensitetit të sulmeve”. Hezbollahu deklaroi se sulmet e tij ishin përgjigje ndaj asaj që e quajti “shkelje të armëpushimit” nga Izraeli. Ndërkohë, zyrtarë nga të dy vendet pritet të zhvillojnë negociata të reja në Uashington javën e ardhshme.
