Botë
ShBA-ja rifilloi luftën me Iranin, tensionet përfshijnë edhe Kupën e Botës 2026
26.05.2026 13:43
ShBA-ja ka ndërmarrë sulme të reja në jug të Iranit ndaj lokacioneve raketore dhe anijeve që dyshohet se po vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit....

ShBA-ja ka ndërmarrë sulme të reja në jug të Iranit ndaj lokacioneve raketore dhe anijeve që dyshohet se po vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit. Uashingtoni pretendon se operacioni u krye në vetëmbrojtje, ndërsa Teherani akuzon për shkelje të armëpushimit dhe paralajmëron përshkallëzim të ri të konfliktit. Sulmet vijnë pasi palët ndërluftuese deklaruan se kanë afruar qëndrimet e tyre. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se një marrëveshje është ende e mundur dhe se ngushtica duhet të mbetet e hapur, në një mënyrë ose në një tjetër.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Presidenti pati një bisedë shumë të rëndësishme dhe historike vetëm pak ditë më parë me një numër të madh liderësh të rajonit. Mendoj se ekziston një përputhje dhe dakordësi e fortë për mënyrën se si duhet të duket drafti paraprak. Besoj se do të duhen disa ditë për të zgjidhur mospajtimet, qoftë edhe për një fjalë apo fjali. Nëse arrihet marrëveshje, do të duhet ta kalojmë edhe këtë fazë. Ose do të jetë një marrëveshje e mirë, ose nuk do të ketë fare marrëveshje.”, - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ndërkohë në Katar zhvillohen negociata intensive për një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte fund përshkallëzimit të konfliktit. Drafti paraprak parashikon zgjatjen me 60 ditë të armëpushimit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave për programin bërthamor iranian. Megjithatë, shumë iranianë mbeten skeptikë dhe nuk besojnë se bisedimet do të çojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Nuk mund të ketë marrëveshje, sepse kërkesat e të dyja palëve janë shumë larg njëra-tjetrës, dhe nëse arrihet marrëveshje, kjo do të thotë se e gjithë kjo luftë do të kishte qenë e kotë, ndërsa hegjemonia e Amerikës do të vihej në pikëpyetje dhe asnjë nga qëllimet për të cilat ajo ndërmori këtë veprim të madh nuk do të realizohej.”, - u shpreh studentja e Shkencave Politike, Marjam.
“Nuk dua luftë, sepse ajo dëmton njerëzit, shtëpitë e tyre shkatërrohen, njerëzit vdesin dhe humbasin më të dashurit. Nga ana tjetër, nuk dua që askush të na detyrojë. Kjo është toka jonë dhe unë e dua Iranin. Dua që të jemi në një situatë të qëndrueshme dhe gjithçka të jetë e qetë.”, - tha një qytetare.
“Ne kemi humbur komandantët dhe liderët tanë. Ata nuk do të bien dakord kaq lehtë. Ndoshta një për qind e Amerikës do të presë 60 ditë për shkak të Kupës së Botës që afrohet, por 100 për qind do të sulmojnë më pas.”, - tha një qytetare tjetër.
Në prag të Kupës së Botës 2026, tensionet politike zbresin edhe në futboll. ShBA-ja nuk do ta lejojë kombëtaren iraniane të qëndrojë në territorin amerikan, përveç gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Për këtë arsye, Irani i ka kërkuar Meksikës të strehojë ekipin gjatë turneut.
“ShBA-ja nuk dëshiron që ekipi iranian të qëndrojë gjatë natës në territorin amerikan. Ata na pyetën neve, por ndeshjet do t’i luajnë të tria atje… kështu që na pyetën: “A mund të qëndrojnë gjatë natës në Meksikë?”. Nuk kemi asnjë arsye t’ua mohojmë mundësinë për të qëndruar në Meksikë.” , - theksoi presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum.
Sipas mediave iraniane, pengesë në negociatat ShBA - Iran mbetet Libani dhe veprimet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit. Tel Avivi njoftoi se do të intensifikojë operacionet kundër Hezbollahut. Grupi militant kundërshton pjesëmarrjen e Libanit në negociatat direkte me Izraelin në ShBA, të planifikuara për fillimin e qershorit.
FARIJE DAUTI BAKIU
