Maqedoni

Të rinjtë e partive politike, deklaratë të përbashkët për vlerat evropiane

26.05.2026 14:07

Të rinjtë e 27 partive politike në vend nënshkruan deklaratë të përbashkët për vlerat evropiane dhe kohezionin...

Të rinjtë e 27 partive politike në vend nënshkruan deklaratë të përbashkët për vlerat evropiane dhe kohezionin. Përmes këtij dokumenti, liderët e rinj politikë u zotuan për respektimin dhe avancimin e vlerave të përbashkëta evropiane, si dialogu, kohezioni, kultura demokratike, përgjegjësia, respektimi i dallimeve dhe solidariteti. Organizatorët e ngjarjes, Instituti për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare Ohër, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, theksuan se ideja evropiane mbetet e gjallë dhe dinamike, duke u ndërtuar vazhdimisht përmes dialogut, përpjekjeve të përbashkëta dhe gjithëpërfshirjes.
 
“Këto gjëra që në shikim të parë mund të duken të vogla, janë pikërisht ato mbi të cilat duhet të ndërtojmë proceset, të punojmë së bashku, të jemi transparentë, gjithëpërfshirës dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Kam qenë dëshmitar i bisedave që kanë zgjatur me orë të tëra ndërmjet kombeve dhe shteteve. Edhe pse në raste të caktuara ato biseda kanë qenë të tensionuara, pikërisht aty qëndron thelbi. Nuk e dimë se si do të duket bota në të ardhmen, por ajo sigurisht do të ndryshojë ndjeshëm, veçanërisht për ju të rinjtë. Prandaj, kohezioni është i domosdoshëm.”, - deklaroi udhëheqësi për bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Stefan Hudolin.
 
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të punosh me politikanë të rinj që e mbajnë gjallë dialogun. Dallimet duhet të ekzistojnë dhe sigurisht që do të ekzistojnë, por negociatat dhe kohezioni duhet të vazhdojnë dhe të mbeten gjithmonë aktive. Forumet rinore të partive politike kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit. Brenda tyre formësohen jo vetëm bartësit e ardhshëm të funksioneve publike, por edhe kultura e ardhshme politike.”, - theksoi drejtoresha e Institutit për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ohër, Biljana Janeva.
 
Ata gjithashtu theksuan se aktiviteti i sotëm në thelb paraqet një sinjal të qartë se aktorët e rinj në politikë mund të gjejnë vlera të përbashkëta, t’i promovojnë ato dhe të kontribuojnë në forcimin e perspektivës evropiane të shtetit. Sipas tyre, modeli evropian ndërtohet mbi dialogun, kompromisin dhe këmbënguljen, duke theksuar se pikërisht kultura e dialogut përbën thelbin e projektit evropian. 
 
“Veçanërisht e rëndësishme është që sot të rinjtë, përmes forumeve rinore të partive politike, dërgojnë mesazhin se dallimet nuk duhet të jenë arsye për përçarje, por mundësi për bashkëpunim, mirëkuptim dhe veprim të përbashkët. Nënshkrimi i kësaj deklarate për vlera të përbashkëta paraqet një hap simbolik, por shumë domethënës drejt forcimit të besimit të ndërsjellë, kulturës politike dhe përgjegjësisë shoqërore.”, - u shpreh Valentina Veliçkovska nga Qendra Burimore Qytetare.
 
Kjo deklaratë u nënshkrua në kuadër të shënimit të Ditës dhe Muajit të Evropës.
 
REXHEP QAMILI