Maqedoni

"Women in Tech Macedonia", koha e grave në epokën digjitale

26.05.2026 14:29

Koha e grave ka ardhur dhe ato nuk po e presin të ardhmen si dhuratë, por po e kodojnë atë vetë në sinergji me burrat....

Koha e grave ka ardhur dhe ato nuk po e presin të ardhmen si dhuratë, por po e kodojnë atë vetë në sinergji me burrat. Ky ka qenë mesazhi kryesor i presidentes Gordana Siljanovska Davkova gjatë ndarjes së çmimeve në ngjarjen "Women in Tech Macedonia". Duke vënë theksin te rëndësia e barazisë gjinore në epokën digjitale, presidentja nënvizoi se përfshirja e grave në shkencë dhe teknologji nuk është feminizëm, por një proces tërësisht natyral që pasuron mbarë shoqërinë. 
 
"Ndryshe nga herët e tjera, sot nuk mjafton që gratë vetëm të jenë pjesë e zhvillimit teknologjik. Është e domosdoshme që ato të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në përcaktimin e rregullave, të prioriteteve dhe të kufijve etikë të botës digjitale. Kur gjysma e popullsisë nuk ka qasje të plotë në hapësirat ku krijohen teknologjitë, atëherë nuk humbasin vetëm gratë, por dobësohet shoqëria, shkenca, ekonomia, e me këtë edhe vetë horizonti i së ardhmes.", - deklaroi presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Në këtë rrugëtim të rëndësishëm global, kapitulli maqedonas i "Women in Tech" po luan një rol pioner. Iniciativa që nisi nga një kontakt i thjeshtë në rrjetet profesionale, sot është kthyer në një lëvizje institucionale që po ndryshon tregun e teknologjisë në vend.
 
"Si “Women in Tech”, ne jemi rritur nga fillime shumë modeste, pa asnjë ndihmë. Sot jemi një nga lëvizjet globale më të suksesshme dhe më të orientuara drejt veprimit për barazinë gjinore në STEM në mbarë botën. Ne kemi këtë mision për të ndikuar te 5 milionë gra dhe vajza deri në vitin 2030, mbi katër shtylla: edukimi, përfshirja digjitale, avokimi, si dhe sipërmarrja.", - theksoi presidentja globale e "Women in Tech", Ajumi Mur Aoki.
                                                 
"Sot nuk jemi këtu vetëm për të ndarë mirënjohje, jemi këtu për t'u bërë nderime njerëzve që me punën, dijen, inovacionet dhe udhëheqjen e tyre po e ndryshojnë shoqërinë tonë. Sot jam këtu me një mesazh të sinqertë – që së bashku jemi më të fortë.”, - u shpreh drejtoresha e "Women in Tech Macedonia", Monika Rizovska Tanevska.
 
Në këtë ngjarje të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital, u ndanë mirënjohje për gratë që shquhen në fushat, si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe sipërmarrja.
 
BELINDA KOKA ADEMI