Maqedoni

Provimi i jurisprudencës, Mexhiti: Kemi zgjidhje, studentët duhet të festojnë

26.05.2026 14:41

Studentët shqiptarë vazhdojnë protestat me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe....

Studentët shqiptarë vazhdojnë protestat me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pas dy protestave në Shkup, protesta e radhës është organizuar në Tiranë, ndërsa është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë, për t’u kthyer përsëri në Shkup, me protesta para Qeverisë. Por, njëri nga krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti, vlerëson se studentët nuk kanë nevojë të protestojnë, por të festojnë, pasi që Qeveria ka zgjidhje dhe po i mbështet studentët. Sipas Mexhitit, bëhet fjalë për ndërhyrje të vogla ligjore, të cilat duhet të kryhen në afat të shpejtë.
 
“Unë mendoj se nuk ka nevojë për protestë, pasi që ne po i mbështesim studentët dhe për këtë kemi gjetur zgjidhje. Jo vetëm për jurisprudencën, por në përgjithësi për provimet profesionale që nuk janë zgjidhur 30-25 vite. Zgjidhjen e kemi promovuar bashkë me partnerët e Qeverisë, këtë e ka thënë edhe kryeministri, kështu që studentët i përgëzoj për organizimin, për protestat që i kanë bërë, për mendimin ndryshe. Potencoj se studentët nuk kanë nevojë të protestojnë, por kanë nevojë të festojnë fitoren e përbashkët që kemi me ta.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.
 
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mexhiti: Ftoj deputetët shqiptarë ta votojnë
 
Sa i përket propozimit të ri ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të Ziadin Selës, Mexhiti thotë se pas 25 viteve për herë të parë kjo çështje po merr zgjidhje ligjore. Propozim-ligjin e cilësoi si fitore të shqiptarëve ne Maqedoni prej ku ftoi të gjithë deputetët shqiptarë ta votojnë atë.
 
“Edhe unë, por edhe zotëri Sela kemi pasur shumë mundësi në të kaluarën, por nuk kemi bërë zgjidhje dhe nuk kemi sjell ligj të për përfaqësimin adekuat. Tani të ulemi në anë dhe të shkruajmë dëshira, është e lehtë, por kur të jesh në Qeveri, duhet t'i negociosh me partnerët e Qeverisë dhe t’i imponosh zgjidhjet dhe ajo që është më me rëndësi pas 25 viteve për herë të parë kjo çështje zgjidhet me ligj. Pra, pas sjelljes së ligjit çdo funksionarë i cili do të bëjë shkelje nuk bën shkelje të balancuesit, apo të konkursit, por bën shkelje të ligjit dhe mund të sanksionohet edhe me dorëheqje nga pozita. Kështu që kjo është fitore historike e shqiptarëve në Maqedoni ta mbështesin këtë dhe ta tejkalojnë vetveten, t'i tejkalojnë zilinë dhe hilet dhe të gjithë në një zë ta mbështesim ligjin për përfaqësim adekuat.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.
 
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pas kalimit te filtrave në Komisionin e Venedikut aktualisht është në procedurë finale në Kuvend.
 
FLORIJE KAMBERI