Botë

Belgjikë, treni përplasi autobusin e shkollës, raportohen viktima dhe të plagosur

26.05.2026 14:54

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në qytetin Bugënhaut të Belgjikës...

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në qytetin Bugënhaut të Belgjikës, ku një tren është përplasur me një autobus shkollor në një kalim hekurudhor, duke shkaktuar viktima dhe të lënduar. Në momentin e ngjarjes në autobus ndodheshin shtatë fëmijë, një shoqërues dhe drejtuesi i mjetit. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se barrierat e kalimit hekurudhor ishin të mbyllura dhe semafori ishte i kuq në momentin kur autobusi ka hyrë në shina. Autoriteti i infrastrukturës hekurudhore në Belgjikë, Infrabel, ka deklaruar se treni ka qenë rreth një kilometër larg dhe kishte filluar frenimin, por nuk është arritur të shmanget përplasja. Ende nuk dihet saktësisht si ka ndodhur ngjarja, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
 
“Rrethanat e sakta të aksidentit janë ende nën hetim. Ne kemi pamje nga një kamerë teknike në këtë kalim hekurudhor dhe gjetjet fillestare tregojnë se kalimi ishte i mbyllur në momentin e aksidentit. Kjo do të thotë se barrierat ishin të ulura dhe dritat ishin të kuqe. Ne do të bashkëpunojmë me hetimin e Prokurorisë Publike, sepse si menaxher i infrastrukturës duam të kuptojmë se si ka ndodhur kjo. Ajo që është e sigurt është se ky është një aksident shumë serioz dhe mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre.”, - deklaroi zëdhënësi i Infrabel-it, Tomas Baeken.
 
Sipas autoriteteve belge, nga aksidenti kanë humbur jetën disa adoleshentë, drejtuesi i autobusit dhe shoqëruesi i tyre, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e viktimave të tjera. Rreth 100 pasagjerë të trenit janë evakuuar dhe marrin ndihmë mjekësore dhe psikologjike.
 
Temperaturat ekstreme në Francë, humbën jetën shtatë persona nga i nxehti
 
Viktima ka pasur edhe në Francë, ku shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e një vale ekstreme të të nxehtit në fillim të verës që po prek një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore. 
 
“Temperaturat janë vërtet shqetësuese. Stinët nuk kanë më kuptim. Edhe kopshtet janë tërësisht të çrregulluara.”, - tha një shtetas i Francës.
 
“Në pellg nuk ka shumë ujë dhe është mjaft i cekët, prandaj uji ngrohet shpejt. Në këto temperatura të larta dhe peshqit nuk e duan ujin e ngrohtë.”, - tha një peshkatar.
 
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan temperatura rekord për muajin maj dhe temperaturat parashikohet të rriten edhe më tej.
 
FARIJE DAUTI BAKIU