Maqedoni
Therja e kurbanit, Sadiki: Obligim fetar dhe solidaritet me skamnorët
26.05.2026 15:02
Kurban Bajrami karakterizohet nga therja e kurbanit...

Kurban Bajrami karakterizohet nga therja e kurbanit, që, përveç obligimit fetar, ngërthen në vete edhe solidaritetin dhe bamirësinë që manifestohet me ndarjen e mishit të kurbanit.
“Besimtari përmes therjes së Kurbanit, jo vetëm se bën kryerjen e një obligimi, një porosie, një urdhër nga Zoti i Plotfuqishëm, por ai njëkohësisht arrin që të plotësojë një kërkesë të madhe, atë të solidaritetit, atë të bujarisë, altruizmit, siç e përmendëm, duke u munduar që një pjesë të Kurbanit të ndajë për skamnorët, për personat që me të vërtetë janë më së tepërmi nevojtarë për mishin e asaj kafshe.”, - deklaroi drejtori i sektorit fetaro-arsimor – BFI, Fejzullah Sadiki.
Por, sipas rregullave fetare islame, kush e ka obligim therjen e kurbanit?
“Obligueshmëria e Kurbanit bazohet mbi disa kritere. Ajo që është më e rëndësishme është që personi duhet të ketë kushte të mjaftueshme elementare, sasia të cilën duhet ta arrijë është sasia e dhënies së zekatit, d.m.th. është niveli, limiti, i cili kërkohet që një besimtar ta disponojë për të dhënë zekat. Nëse njeriu e plotëson këtë kriter, atëherë për atë njeri është e obligueshme edhe therja e Kurbanit, mirëpo nëse njeriu e gjen veten nën nivelin e kësaj kërkese të këtij kriteri, atëherë s’ka dyshim se nuk e ka për obligim të therë kurban.”, - theksoi drejtori i sektorit fetaro-arsimor – BFI, Fejzullah Sadiki.
BFI, si çdo vit, edhe këtë vit ka organizuar tubimin për therjen dhe shpërndarjen e mishit të kurbaneve, duke formuar komision të posaçëm. Nga BFI thonë se në kuadër të Aksionit të shpërndarjes së mishit të Kurbaneve, përpos sigurimit të nevojave të kuzhinave të Medreseve do të shpërndahen mbi 10 mijë pako me mish me nga 8-10 kg, të cilat do t’u dhurohen familjeve në nevojë, shoqatave të ndryshme humanitare, spitalit psikiatrik, burgjeve dhe shoqatave tjera civile.
VLORA LATIFI TOPOJANI
