Maqedoni
Kuvend, deputetët miratojnë huanë prej 260 milionë eurove
26.05.2026 15:14
Kuvendi miratoi huanë e Qeverisë prej 260 milionë euro nga banka komerciale të huaja....

Kuvendi miratoi huanë e Qeverisë prej 260 milionë euro nga banka komerciale të huaja. Huaja ka për qëllim të mbulojë nevojat e përgjithshme buxhetore, financimin e investimeve kapitale, si dhe kthimin e borxheve të vjetra. Sqarimin e bëri zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, duke e cilësuar huamarrjen si një proces normal dhe se e njëjta do të kthehet për shtatë vite me normë interesi të ndryshueshëm varësisht tregut evropian me diferencë maksimale prej 2.1%.
“Kur nga ana e majtë keni të ardhura, nga ana e djathtë keni shpenzime, ajo pjesë që mungon, siç keni bërë dhe siç bëhet gjithkund në ekonomitë normale, ajo pjesë që mungon financohet me huamarrje nga tregu vendas dhe i huaj. Asgjë nuk është e rastësishme, asgjë e re, e as aksidentale që tani të bëjmë cirk.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Por, deputetët e LSDM-së e kritikuan mungesën e ministres së Financave, të cilës, sipas tyre, i takonte të jepte detaje. Ata vlerësuan se huamarrja po merret për likuiditet buxhetor e jo për projekte kapitale. Kjo, sipas tyre, flet për një pozicion të shtrydhur fiskal të shtetit.
“Shihet se qëllimi është i përgjithshëm dhe nuk është i lidhur me projekt konkret, as hekurudhë, as spital, as kapacitete energjetike apo zonë industriale. Në varësi prej pagesës vjetore, shteti do të paguajë afër 58 dhe 64 milionë euro vetëm për kamata.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Nga VMRO-DPMNE me kundër vlerësime se shteti ka përfituar pako financiare më të favorshme në rajon.
“Tetë banka janë përgjigjur dhe nga ato banka Qeveria ka zgjedhur ofertën më të volitshme. Kjo nënkupton se Mali i Zi dhe vendet tjera të rajonit, të gjitha të cilat kanë realizuar çfarëdo angazhimi financiar, kanë paketa më të shtrenjta financiare nga ky që e kemi ne për momentin. Unë do të them se kamata e kësaj huaje është më e ulët se rejtingu juaj politik, i cili për fat të keq është njëshifror.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Qeveria pretendon se me huanë do të kthejë pjesën e mbetur të borxhit të ish-pushtetit në vitin 2020, i cili kapte vlerën totale prej 700 milionë eurosh.
MERAL ISMAILI
