Maqedoni
RMV dhe Kroacia bëhen partnerë strategjikë, Mickoski dhe Plenkoviq: Në fokus edhe eurointegrimin
26.05.2026 15:42
Kroacia mbështet fuqishëm rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në aspiratat e saja eurointegruese....

Kroacia mbështet fuqishëm rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në aspiratat e saja eurointegruese dhe pret që të hiqen pengesat që çojnë në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Këtë nga Ohri e siguroi kryeministri kroat Andrej Plenkoviq pas nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet strategjik me kryeministrin vendor Mickoski. Duke komentuar letrën e kancelarit Merc për përshpejtimin e zgjerimit, Plenkoviq shtoi se plani përmend edhe vendet e Ballkanit, duke theksuar gjetjen e zgjidhjeje për të gjitha vendet aspirante dhe të respektohet parimi meritor.
“Presim të hiqen pengesat e procesit. Sa i përket letrës së kancelarit Merc, nuk është diçka e papritur, është fryt i mendimeve prej shumë muajsh. Ne për këtë biseduam në samitin e Zagrebit të partive simotra, ku u bë e qartë se ajo letër ka të bëjë me perspektivën evropiane. Në atë letër përmenden vendet e Evropës Juglindore për të cilat duhet të gjendet zgjidhje. Pozicioni i Kroacisë është i qartë: nëse nisemi nga e ashtuquajtura “merita individuale” për secilin shtet në veçanti do të bëhen disa punë më të shkurtra…atëherë kjo duhet të bëhet për të gjithë dhe jo vetëm për një shtet.”, - deklaroi kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Ndërkohë, shefi i ekzekutivit, Mickoski, thotë se na duhet Evropë e vlerave, parimeve dhe që njeh rezultatet dhe përkushtimin në aspiratat eurointegrese. Sërish potencon se rrugëtimi ynë evropian po bilateralizohet, ndërkaq nuk ka ndërmend të tërhiqet nga vijat e kuqe të identitetit në shkëmbim me anëtarësim në BE. Për më tepër shton se nuk do të hiqet fokusi në reformat dhe në planin aksionar për pakicat, që për këtë të fundit informoi se pritet sinjal i BE-së, e më pas të vihet në seancë qeveritare.
“Integrimi ynë në suaza të BE-së u shndërrua në bilateralizim të atij procesi. Më me rëndësi ishin çështjet bilaterale sesa kushtet objektive të Kopenhagës dhe aderim në BE sipas sistemit të meritës, që dha shumë frustracione tek ne, qytetarët e Maqedonisë, sepse vlerësojmë që shumë kohë më parë e kemi merituar vendin në suaza të asaj familjeje. Sërish kemi një kërkesë të atillë që është para nesh. Për fat të keq, atë e pranoi qeveria paraprake. Derisa çështjet bilaterale dhe “bulingu” nga një shtet anëtar është pengesë për të qenë e asaj familjeje, këtë që moti kohë e kemi merituar, për fat të keq do të largohet. Pres të kemi të shans, por s’ka më shumë mundësi për shmangie nga identiteti.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Dy kryeministrat dhe ekipet qeveritare u morën vesh që të bashkëpunojnë për zhvillimin e iniciativave dhe projekteve konkrete në transport, energjetikë, teknologji informative, industri, prodhim, shëndetësi, arsim, siguri publike, mbrojtje civile, mbrojtje, siguri kibernetike dhe menaxhim të kufijve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
