Rajon
Lugina e Preshevës, Kamberi e Sinani pritën dy kongresmenë amerikanë
26.05.2026 16:16
Kamberi e ka quajtur këtë një takim historik...

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka pritur në takim kongresistët amerikanë, Keit Self dhe Suhas Subramaniam. Kamberi e ka quajtur këtë një takim historik, ndërsa ka bërë thirrje që të marrin fund politikat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Takimi i sotëm me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramaniam paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit tonë. Ai po mbahet në një kohë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të jetojnë nën politika diskriminuese dhe përjashtuese nga regjimi në Beograd. Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare. Ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht.”, thekson Kamberi.
Ai së bashku me kryetarin e Këshillit kombëtar, Enkel Rexhepi, kanë ngritur zërin kundër politikës diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara.
“Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë. Në Preshevë sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj, por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët.”, shkruan Kamberi. Kongresmenët amerikanë u pritën edhe nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, nga e cila po ashtu u njoftuan për problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
GYLTENE SINANI
