Maqedoni
Tetovë, çmimi i kurbanëve nga 150 deri në 250 euro
26.05.2026 16:34
Në prag të Kurban Bajramit, në Tetovë ka nisur shitja e kurbanëve...

Sipas shitësve, çmimet e deleve variojnë nga 150 deri në 180 euro, deshët nga 200 deri në 250 euro, ndërsa kurbanët më të mëdhenj shiten nga 1.400 euro e lart.
Megjithatë, shitësit ankohen se mungon një vend i posaçëm, ku qytetarët mund të frekuentojnë më lehtë tregun e kurbanëve.
“Janë dy çmime, për dele dhe për desh. Unë do t’ju tregoj çmimet reale që shesim ne, pasi po qarkullojnë intervista të ndryshme në rrjetet sociale se po abuzohet me çmime. Çmimi real i deles nis nga 150 euro, ndërsa më e mira shkon deri në 180 euro. Për deshët, çmimet janë nga 200 deri në 250 euro. Ato që fliten për 400 apo 500 euro nuk janë çmime reale. Mund të jetë një viç me atë çmim, por jo desh. Çmimet janë rritur, por jo aq sa thonë njerëzit. Problemi ynë është se nuk kemi një vend ku të shesim kurbanët. Na mbyt dielli dhe njerëzit nuk dinë ku të drejtohen. Nuk ka një hapësirë ku qytetarët mund të vijnë, t’i shohin kurbanët dhe t’i blejnë në kushte elementare. Të paktën të kishte një vend këtu dhe një në Bogovinë.”,
“Nuk jemi grup që blen dhe shet kafshë, por ky është malli ynë që e kemi rritur vetë. Gjithmonë jemi në shërbim të qytetarëve. Çdo qytetar që vendos të marrë kurban, paraprakisht është përgatitur dhe nuk e shikon aq shumë çmimin, por së pari kërkon që kurbani t’i plotësojë kushtet. Pastaj, ai paguan. Çmimet dallojnë sipas cilësisë. Për shembull, ky kurban para meje ka vlerë nga 1.500 deri në 1.600 euro.”, - tha një shitës tjetër.
Ndërkohë, nga Unioni i Fermerëve të Maqedonisë së Veriut thonë se Ministria e Bujqësisë edhe këtë herë nuk u ka dalë në ndihmë blegtorëve. Sipas tyre, ka pasur ndalesa për lëvizjen e kafshëve nga një vend në tjetrin, por blegtorët kanë marrë përsipër rrezikun personal dhe i kanë nxjerrë kurbanët në shitje, pasi shumë prej tyre varen nga shitja gjatë Kurban Bajramit.
VISAR SADIKI
