Maqedoni

Filipçe i kërkon Qeverisë referendum: Qytetarët të vendosin për rrugën drejt BE-së

27.05.2026 14:08

Përplasjet mes pozitës dhe opozitës për rrugën eurointegruese të vendit dhe marrëdhëniet me Bullgarisë po vazhdojnë....

Përplasjet mes pozitës dhe opozitës për rrugën eurointegruese të vendit dhe marrëdhëniet me Bullgarisë po vazhdojnë. Opozita kërkon që llogaridhënia për procesin e integrimit evropian t'u kthehet qytetarëve. Kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe, thotë se Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë për premtimet e bëra dhe të lejojë popullin të vendosë përmes një referendumi.
 
“Le të shpallë Qeveria referendum, sepse ata mbajnë të gjithë përgjegjësinë për rrugën drejt BE-së. Dhe që qytetarët t'u tregojnë atyre qëndrimin dhe përgjigjen e vërtetë. Pajtohem që duhet të diskutohet pyetja se si do të jetë e kështu me radhë, të diskutohet, të debatohet, por përgjegjësia është e Qeverisë. Qeveria premtonte hyrje në Evropë me kushte ndryshe, më të mira, më krenare. Ashtu ishte? Kështu thoshin. Gënjyen ashtu siç gënjejnë për çdo gjë. Kështu që, nuk kanë të drejtë ta bëjnë ata këtë, qytetarët duhet të vendosin. Duhet të shpallin referendum.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
VMRO-DPMNE: Filipçe po mbështet Bullgarinë
 
Nga partia në pushtet ndërkohë vazhdojnë me akuza drejt LSDM-së. Ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i fundit, Bullgaria ka kërkesa më të gjera ndaj Maqedonisë, ndërsa Filipçe, sipas VMRO-DPMNE-së, është i gatshëm t'i mbështesë ato. 
 
“Është e qartë se i vetmi që u beson pa rezerva mesazheve të Rumen Radevit se ndryshimet kushtetuese janë pengesa e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian është pikërisht i dërguari special bullgar në Maqedoni, Venko Filipçe. Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, del në publik dhe thotë se revolucionarët maqedonas si Goce Dellçev dhe Jane Sandanski janë bullgarë, veprimtarë si vëllezërit Miladinov gjithashtu janë bullgarë, si dhe themeluesit e shkrim-leximit sllav, Kirili dhe Metodi, ashtu si Klimenti dhe Naumi i Ohrit se janë pjesë e historisë bullgare.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE. 
 
Ndërsa çështja e ndryshimeve kushtetuese mbetet e bllokuar, debati politik mes Shkupit dhe Sofjes po zhvendoset gjithnjë e më shumë në rrafshin e interpretimeve historike. 
 
ERSAN PAJAZITI