Rajon

Kurban Bajrami, Tirana dhe Prishtina me manifestime qendrore

27.05.2026 14:21

Në Tiranë mijëra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”...

Në Tiranë mijëra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Falja në orën 06:30 të mëngjesit u drejtua nga kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili bëri thirrje për solidaritet dhe mirësi ndaj njëri-tjetrit.
 
“Bota sot po kalon sprova të mëdha, luftëra, varfëri, pasiguri dhe krizë shpirtërore. Edhe shoqëria jonë përballet me këto sfida. Por ne nuk duhet ta humbasim shpresën tek i madhi Zot. Besimtari është njeri që ngrihet edhe kur koha bëhet shumë e vështirë për atë.”, - deklaroi kreu i KMSh-së, Bujar Spahiu.
 
Presidenti Begaj uroi nga Meka për më shumë begati. “Ditë e bekuar, natë e ndritshme!” ishte postimi i Ramës në rrjetet sociale.
 
Ndërkohë ceremonia qendrore e faljes së namazit të Kurban Bajramit në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndërmjet besimtarëve. Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka theksuar nevojën për stabilitet institucional dhe përgjegjësi shtetërore, duke paralajmëruar për pasojat e zgjedhjeve të shpeshta në vend.
 
“Për të ndërtuar këto ideale të larta, vendi ynë ka nevojë, përveç stabilitetit ekonomik dhe politik, edhe për institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore dhe përplasjet e pafundme politike të partive tona kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional dhe polarizimi politik nuk i shërbejnë Kosovës, por e dobësojnë besimin qytetar dhe e zbehin shpresën e brezit të ri.”, - theksoi myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.
 
Urime për festën e Kurban Bajramit kanë drejtuar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me urimet për kultivimin e vlerave për të mirën e përgjithshme.
 
MERAL ISMAILI