Maqedoni
Festohet Kurban Bajrami, urime për mirësi, paqe e shëndet
27.05.2026 14:34
Sot besimtarët myslimanë në vend dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin...

Sot besimtarët myslimanë në vend dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe islame pas Fitër Bajramit. Manifestimi qendror i Kurban Bajramit, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame, u mbajt në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Me mesazhe paqeje, harmonie dhe solidariteti, besimtarët falën namazin e Bajramit, për të vazhduar më pas kremtimin në rrethin familjar, pranë të afërmve dhe miqve. Një nga traditat kryesore që e karakterizon këtë festë është prerja e kurbanit, simbol i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, përcolli mesazhin e tij urues për besimtarët myslimanë, duke thënë se Kurban Bajrami përcjell vlera të paqes, humanizmit, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj së mirës së përgjithshme.
“Në këtë ditë të madhe të Kurban Bajramit, besimtarët me kënaqësi kryejnë obligimin hyjnor të prerjes së kurbanëve të tyre, duke dëshmuar në praktikë se pasuria është dhuratë e Zotit dhe se ajo nuk është qëllimi i jetës, por mjet për arritjen e qëllimeve të saj: besimit, kujdesit ndaj vetvetes, ndaj njeriut, ndaj jetimit, të varfërve, dijes dhe mirëqenies njerëzore. Kjo vërteton parimin e madh islam se nuk ka vepra madhore pa sakrifica të mëdha dhe se e mira arrihet duke dhënë edhe më të dashurën që posedon njeriu. Andaj, festa e Kurban Bajramit, përmes kurbanit, kultivon personalitet konstruktiv, të matur, të urtë, të përkushtuar ndaj së mirës, solidar, paqësor dhe në çdo moment të kujdesshëm për mirëqenien e përgjithshme. Kjo festë e bën besimtarin të vetëdijshëm që të largojë nga vetja urrejtjen, xhelozinë, agresivitetin, nënçmimin, diskriminimin dhe përçarjen. Ajo simbolizon vetëdijen e lartë mbi Krijuesin, kujdesin për familjen e shëndoshë, afërsinë me njëri-tjetrin, urtësinë në veprime, dashurinë ndaj të afërmve, prindërve dhe familjes, forcimin e lidhjeve njerëzore, shmangien e konflikteve ndërmjet vendeve dhe kombeve, si dhe mbjelljen e paqes, tolerancës dhe solidaritetit për ngritjen e vetvetes, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.”, - deklaroi kryetari i BFI-së, Shaqir ef. Fetai.
Gjatë programit solemn në manifestimin qendror u lexuan ajete nga Kurani, ndërsa u interpretuan edhe ilahi në disa gjuhë, duke krijuar një atmosferë festive dhe shpirtërore. Kurban Bajrami festohet për tri ditë dhe vjen 70 ditë pas Fitër Bajramit. Kjo festë lidhet me haxhin, i cili konsiderohet shtylla e pestë e Islamit, dhe përcjell mesazhe solidariteti, sakrifice dhe kujdesi për njëri-tjetrin. Tradita e kurbanit praktikohet nga ata që kanë mundësi ekonomike, ndërsa mishi shpërndahet te familjet në nevojë, fqinjët dhe të afërmit, duke forcuar frymën e humanizmit.
REXHEP QAMILI
