Maqedoni
Indeksi rajonal: Rajoni i Shkupit renditet i treti në Ballkan
27.05.2026 15:01
Maqedonia e Veriut po tregon rezultate mjaft pozitive në sferën e konkurrencës dhe inovacionit....

Maqedonia e Veriut po tregon rezultate mjaft pozitive në sferën e konkurrencës dhe inovacionit. Analiza e fundit rajonale, e cila ka marrë në shqyrtim katër shtete të Ballkanit Perëndimor, tregon se vendi ynë ka një potencial të lartë zhvillimi, ku si lider kryesor pozicionohet rajoni i Shkupit. Ky rajon jo vetëm që kryeson në nivel vendor, por renditet i treti në rang ballkanik për nga shfrytëzimi i kapaciteteve dhe produktiviteti i fuqisë punëtore.
"Rajoni i Shkupit është i ranguar më mirë se të gjitha rajonet e tjera të Maqedonisë, duke u rreshtuar i treti në këtë listë. Në 20 rajonet e para kemi edhe pesë rajone serbe, por ajo që vlen të theksohet është se të gjitha rajonet e Maqedonisë ndodhen në top-20. Maqedonia është ranguar mirë në këtë indeks, por duke qenë se konkurrenca dhe inovacionet janë çështje globale, ato duhet të shihen gjithmonë në korniza më të gjera.", - deklaroi drejtoresha e Qendrës për Kërkim dhe Krijimin e Politikave, Marija Risteska.
Andonovski: Marrëveshja për roaming me BE-në në fazën finale
Përveç klimës së biznesit, një tjetër hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian pritet të jetë edhe heqja e plotë e tarifave të roamingut për qytetarët tanë që udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse në opinion pati spekulime për dështim të procesit, autoritetet i hedhin poshtë këto pretendime. Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, konfirmon se rregullorja e re tashmë ndodhet në fazën finale të përgatitjes në Bruksel dhe hapi i radhës do të jetë kalimi i saj në Kuvend.
"Ndryshimi i fundit i Ligjit për Komunikime Elektronike tashmë është miratuar në Qeveri dhe është dërguar për opinion në Komisionin Evropian. Pas marrjes së dritës jeshile nga Brukseli, ai do të kalojë menjëherë në Kuvend. Ne si palë i kemi nominuar negociatorët tanë dhe javën e ardhshme, pas takimit në Tivat, presim të saktësohen afatet konkrete që varen nga Bashkimi Evropian. Sipas skenarit optimist, deri në fund të vitit qytetarët tanë do ta kenë këtë mundësi.", - theksoi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Sipas paralajmërimeve, nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë midis Shkupit dhe Brukselit zyrtar, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mund të shfrytëzojnë shërbimet e internetit dhe thirrjeve pa pagesë në roaming brenda vendeve të BE-së, duke filluar nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
ERSAN PAJAZITI
