Maqedoni

MASh: Nga ky vit do të vendosen dëftesat elektronike

27.05.2026 15:17

Janevska njoftoi se nga ky vit shkollor do të vendosen dëftesat elektronike për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se nga ky vit shkollor do të vendosen dëftesat elektronike për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë. Sipas saj, duke qenë se bëhet fjalë për vitin e parë të zbatimit, paralelisht do të përdoren edhe dëftesa të shtypura, me qëllim që mësimdhënësit të përshtaten me sistemin e ri elektronik. Viteve të ardhshme do të përshihen edhe klasat e tjera. Sipas saj, ky ndryshim do të sjellë modernizim të procesit arsimor. Gjithashtu, sistemi elektronik do të mundësojë që të dhënat për regjistrimin në shkollat e mesme të merren automatikisht nga vetë shkollat.
 
“Nga ky vit po vendosim dëftesa elektronike nga klasa e parë deri në klasën e tretë. Duke pasur parasysh se është viti i parë, do të ketë edhe dëftesa të shtypura, sepse presim që mësimdhënësit të përshtaten me dëftesat e reja elektronike, të cilat do të jenë një lehtësim i madh për ta, në vend që t’i shkruajnë me dorë të njëjtat t'i plotësojnë me kompjuter dhe pa gabime, pasi që të dhënat merren nga ditari elektronik. Këtë vit do të ecim paralelisht, ndërsa nga viti i ardhshëm do t’i shtojmë edhe klasat e reja: të katërtën, të pestën dhe të gjashtën, dhe më pas do të kalojmë vetëm me dëftesa elektronike, sepse në vitin e tretë do ta përfshijmë edhe klasën e nëntë. Me to kursejmë letër, zvogëlojmë ndotjen, ua lehtësojmë punën mësimdhënësve dhe për më tepër sistemi për regjistrim në shkollë të mesme do t’i tërheqë të dhënat drejtpërdrejt nga vetë shkollat.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Ky proces, sipas Janevskës, është një hap i rëndësishëm për digjitalizimin e procedurave në shkolla dhe lehtësim për të gjitha palët në proces.
 
FLORIJE KAMBERI