Botë

Lindja e Mesme, Izraeli nis sulme të reja në Liban

27.05.2026 16:06

Dhjetëra persona janë vrarë në sulmet izraelite në të gjithë Libanin jugor dhe lindor...

Dhjetëra persona janë vrarë në sulmet izraelite në të gjithë Libanin jugor dhe lindor, pasi kryeministri izraelit Netanjahu njoftoi një përshkallëzim të veprimeve ushtarake kundër Hezbollahut. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për armëpushim dhe bisedimeve të planifikuara të drejtpërdrejta me zyrtarët libanezë në Uashington, ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 100 objektiva dhe luftëtarë të grupeve militante.
 
"Nën udhëheqjen time dhe atë të ministrit të Mbrojtjes, së bashku me shefin e shtabit, ne po e thellojmë operacionin tonë në Liban. Forcat Mbrojtëse të Izraelit po operojnë me forca të mëdha në terren dhe po rimarrin zonat e kontrolluara. Ne po e përforcojmë zonën e sigurisë për të mbrojtur komunitetet veriore.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Hezbollahu tha se kishte nisur sulme me raketa, artileri dhe dronë që synonin ushtarët dhe automjetet izraelite që mobilizoheshin përgjatë lumit Litani. Në të njëjtën kohë, Izraeli njoftoi se kishte vrarë një komandant të lartë të Hamasit në Gazë.
 
“Nuk ka gëzim në atmosferën e Bajramit. Njerëzit shqetësohen nga vdekja, vrasja, vuajtja dhe situata në të cilën jetojmë. Ne jemi njerëz të vdekur.”, - tha një qytetar.
 
“Njeriu dëshiron të ndiejë gëzim dhe të ndiejë atmosferën e Bajramit, por nuk ka gëzim, gëzimi është i heshtur, tre vjet luftë, tre vjet vuajtje.”, - tha një qytetar tjetër.
 
OKB-ja bëri thirrje për shmangien e çdo përshkallëzimi në situatën tashmë të brishtë në Lindjen e Mesme.
 
“Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme të shmanget çdo përshkallëzim i konfliktit, i cili tashmë ka marrë një numër të madh jetësh civile dhe që rrezikon ta bëjë kërkimin për paqe edhe më të largët, duke zgjatur vuajtjet njerëzore.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
 
Pekini po punon për të ulur tensionet në Iran, tha ministri i Jashtëm kinez. Ai u bëri thirrje palëve ndërluftuese të përpiqen për një armëpushim dhe të rivendosin paqen. 
 
“Ne kemi ruajtur komunikimin dhe koordinimin me palët e interesuara kryesore, si dhe partnerët e rëndësishëm rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ne besojmë se sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve në rajon duhet të respektohen. Objektivat civile dhe joushtarake duhet të mbrohen. Siguria e kalimeve dhe infrastrukturës energjetike duhet të mbrohet dhe dispozitat e regjimit të mospërhapjes bërthamore duhet të zbatohen.”, - u shpreh ministri i Jashtëm kinez, Uang Ji. 
 
Teherani nuk po tërhiqet nga tre kërkesa kryesore: ruajtja e infrastrukturës së tij bërthamore, njohja e rolit të Iranit në mbikëqyrjen dhe sigurinë e Ngushticës së Hormuzit dhe lirimi i aseteve të ngrira të prekura nga sanksionet. Më parë, Irani njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin kryer një shkelje të rëndë të armëpushimit me sulme të reja ajrore në jug të vendit. 
 
FLORIJE KAMBERI