Botë

Ebola po përhapet më shpejt se ndihmat, OBSH: Lufta në Kongo po e përshpejton përhapjen e sëmundjes

27.05.2026 18:23

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin për situatën në lindje të Republikës Demokratike të Kongos...

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin për situatën në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ku shpërthimi i Ebolës po përhapet në kushte të vështira për shkak të konfliktit të armatosur.
 
Sipas OBSH-së, deri tani dyshohet se janë regjistruar rreth 220 viktima nga sëmundja në provincën Ituri.
 
Autoritetet shëndetësore dhe ekipet humanitare po hasin vështirësi të mëdha për të arritur tek të prekurit, pasi zonat e konfliktit janë të pasigurta dhe lëvizja në terren është e kufizuar.
 
OBSH bën të ditur se luftimet dhe zhvendosja e popullsisë po e bëjnë edhe më të vështirë izolimin e rasteve dhe trajtimin e të sëmurëve, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të virusit.
 
Situata është rënduar edhe nga mungesa e aksesit të rregullt humanitar dhe problemet me infrastrukturën në zonë.
 
Provinca e Iturit ndodhet nën administrim ushtarak që prej vitit 2021, për shkak të pranisë së grupeve të armatosura.
 
OBSH paralajmëron se ndalimi i përhapjes së Ebolës varet drejtpërdrejt nga mundësia për të punuar në terren dhe për të arritur tek komunitetet e prekura.