SHBA sulmon Iranin, vazhdojnë përpjekjet për marrëveshje
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ushtarake...

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, tha një zyrtar amerikan, ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar për t’i dhënë fund luftës tremujore në Lindjen e Mesme.
Sulmet kishin në shënjestër një strukturë ushtarake që shihej si një kërcënim për forcat amerikane dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet e reja vijnë ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje midis Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës që shpërtheu më 28 shkurt pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Konflikti ka shkaktuar mijëra vdekje dhe trazira të rënda në tregjet ndërkombëtare të energjisë, kryesisht për shkak të zhvillimeve rreth Ngushticës së Hormuzit.
Donald Trump tha se SHBA-të nuk janë ende të kënaqura me kushtet e marrëveshjes që po diskutohet me Iranin.
Duke folur gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se Teherani po kërkon një marrëveshje, por shtoi se “deri më tani ata nuk kanë arritur aty ku duam ne”.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu se SHBA-të janë të gatshme të rifillojnë operacionet ushtarake nëse bisedimet dështojnë.
Donald Trump hodhi poshtë gjithashtu raportet në median shtetërore iraniane se Irani dhe Omani do të menaxhonin së bashku transportin detar në Ngushticën e Hormuzit si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Marko Rubio, nga ana e tij, deklaroi se kishte “disa përparim dhe interes” në negociatat me Iranin, megjithatë, pa zbuluar se cilat çështje mbeten të hapura.
