Tensionet në Lindjen e Mesme, SHBA, Izraeli dhe Irani shkembejnë sulme
Në kushtet e një armëpushimi të brishtë....

Në kushtet e një armëpushimi të brishtë dhe negociatave për t’i dhënë fund luftës, ushtria amerikane sulmoi për herë të dytë brenda tri ditësh objektiva në Iran. U godit një lokacion ushtarak në qytetin portual Bandar Abbas, ndërsa u rrëzuan edhe dronë iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit.
Ushtria iraniane njoftoi se ishte kundërpërgjigjur me një sulm ndaj një baze ajrore amerikane.
“Kjo përgjigje është një paralajmërim serioz për armikun se agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje dhe se çdo përsëritje do të përballet me një reagim më vendimtar. Përgjegjësia për pasojat bie mbi agresorin.” – tha mes tjerash prezantuesja e Televizionit shtetëror iranian.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se marrëveshja me Iranin duhet të jetë e përsosur, por nuk pranon një zgjidhje afatshkurtër që do t’i lejonte Iranit dhe Omanit të kontrollonin këtë korridor të rëndësishëm detar.
“Këto janë ujëra ndërkombëtare. Askush nuk do t’i kontrollojë. Ne do t’i mbrojmë, por askush nuk do t’i kontrollojë. Kjo është pjesë e negociatave që po zhvillojmë. Janë ujëra ndërkombëtare. Dhe nëse Omani nuk sillet si të gjithë të tjerët, do të detyrohemi ta shkatërrojmë.” – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Trump theksoi se aleatët nga Gjiri Persik i detyrohen SHBA-së të nënshkruajnë Marrëveshjet e Abrahamit, të orientuara drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Ai hodhi poshtë mundësinë që Irani t’i transferojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në Rusi ose Kinë.
Një opsion i pranueshëm, sipas tij, është që uraniumi të shkatërrohet në SHBA, në Iran ose në një vend tjetër të pranueshëm. Nga Teherani deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga vijat e tyre të kuqe, pavarësisht presionit nga Uashingtoni.
“Irani nuk do të zmbrapset nga retorika e Trumpit dhe nga vijat e tij të kuqe: e drejta për pasurimin e uraniumit, posedimi i uraniumit të pasuruar, autoriteti mbi Ngushticën e Hormuzit dhe heqja e sanksioneve. Është e qartë se Trump, duke kërkuar një rrugëdalje nga ky ngërç strategjik, alternon mes kërcënimeve dhe thirrjeve për një marrëveshje.” – tha Kryetari i Komitetit për siguri kombëtare të Parlamentit iranian, Ebrahim Azizi.
Situata e tensionuar mbetet edhe në Liban. Ushtria izraelite ka bombarduar qytetin portual Tajr, duke vrarë dhjetëra civilë.
Izraeli lëshoi urdhra evakuimi për banorët e Libanit jugor, duke i shpallur këto zona si zona lufte. Banorët u thirrën të zhvendosen në veri të lumit Zahrani.
“Ne do të qëndrojmë këtu, nuk do të largohemi. Ky është vendi ynë, toka jonë, jeta dhe burimi ynë i jetesës. Ata mund të përhapin vetëm urrejtje dhe helm sepse po pësojnë humbje të mëdha pranë kufirit. Po e shkarkojnë gjithë zemërimin mbi këtë qytet.” – u shpreh Ghazëan Halaëani, banor nga zonat e goditura në Liban.
Ky është urdhri më i madh i evakuimit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 17 prill. Hezbollah akuzoi Tel Avivin për shkelje të armëpushimit dhe tha se luftëtarët e tij janë përleshur me trupat izraelite.
Liria e lundrimit dhe gjendja e brishtë në Lindjen e Mesme ishin temë e takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Qipro.
“Ngushtica e Hormuzit ndodhet mes luftës dhe paqes. Është në interesin e të gjithëve që të respektohet liria e lundrimit, sepse të gjithë paguajnë një çmim shumë të lartë për këtë.” – u shpreh Shefja për Poliikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Kaja Kallas.
Ndërsa përplasjet ushtarake dhe tensionet diplomatike vazhdojnë, frika për një përshkallëzim më të gjerë në Lindjen e Mesme mbetet e lartë, me komunitetin ndërkombëtar që bën thirrje për përmbajtje dhe rikthim në tryezën e negociatave. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
