Maqedoni
Gjykimi për rastin "Puls", gjykimi vazhdon me dëshmi materiale
28.05.2026 14:56
Ka vazhduar gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona...

Ka vazhduar gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën. Para Gjykatës u prezantuan prova lidhur me objektin, pronësinë e tij dhe lëvizjen e pasurisë e gjithë historia faktike, juridike dhe pronësore e objektit ku ndodhej diskoteka “Puls”.
Në sallën e gjyqit u prezantuan 19 procesverbale të inspektimeve të kryera nga inspektorët komunalë në kafebarin “Klasik”.
Më pas u prezantuan disa prova lidhur me kërkesën e Nikolla Kuzmanovit për ndërtimin e një objekti afarist nga viti 1999, së bashku me planin, projektin dhe elaboratin e ndërtimit, si dhe dokumente dhe leje ndërtimi të lëshuara nga Ministria e Urbanizmit dhe Ndërtimtarisë.
Gjithashtu u paraqitën dokumente të me parcelwn dhe objektit ku ndodhej dhe funksiononte diskoteka “Puls”, si dhe dokumentacion për legalizimin e ndërtimit pa leje të një pjese të objektit si dhe dokumentacione tw tjera. Para sallës së gjyqit sot reagoi ashpër Aleksandar Naunov, duke theksuar se rasti i tragjedisë në “Puls”, ku humbën jetën 63 fëmijë dhe të rinj, nuk mund të trajtohet si një aksident i zakonshëm.
Ai deklaroi se është “tepër e pabesueshme” që një pjesë e avokatëve kërkojnë që tragjedia të shpallet rast fatkeq, duke vlerësuar se përgjegjësia e vërtetë qëndron te dështimet sistematike dhe neglizhenca institucionale.
“Fatkeqësi është kur natyra godet pa paralajmërim. Por kur për vite me radhë institucionet lejojnë që një objekt i pasigurt të funksionojë, kur pranohen aplikime të paplotësuara, përdoren miratime të vjetra dhe heshten mangësitë dhe nuk ka mbikqyrje inspektoriale, atëherë kjo nuk është fatkeqësi, por mbyllje sistematike e syve”, deklaroi familjari Aleksandar Naunov.
Ai shtoi se është “cinike” pretendimi se një pjesë e të akuzuarve nuk e dinin pse ndodhen para gjykatës, duke theksuar se, sipas tij, “ata e dinë shumë mirë”, pasi bëhet fjalë për pasoja të lëshimeve serioze.Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Gjykimin e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
FLORIJE KAMBERI
