Maqedoni
Dita botërore pa duhan, mjekët amë mund të përshkruajnë terapi për lënien e duhanit
28.05.2026 15:14
Autoritetet shëndetësore do t’i forcojnë shërbimet për lënien e duhanit...

Autoritetet shëndetësore do t’i forcojnë shërbimet për lënien e duhanit, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore pa Duhan 2026.Ministri paralajmëroi se do të fillojnë aktivitete të koordinuara të të gjitha institucioneve që mund të kontribuojnë në procesin e lënies së duhanit.
“Në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, vetëqeverisjen lokale dhe shtëpitë lokale të shëndetit, po fillojmë aktivitete për forcimin e shërbimeve për lënien e duhanit në nivel lokal. Rritje e qasshmërisë së këshillimoreve që i kemi në nivel lokal me qëllim lënien e duhanit, forcim i sistemit të referimit si dhe mbështetje e vazhdueshme për këta persona, me fokus të veçantë te popullata e re në vendin tonë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Si risi të rëndësishme në sistemin shëndetësor, ministri Azir Aliu rikujtoi se për herë të parë në listën esenciale të barnave janë shtuar barna për lënien e duhanit.
“Ministria e Shëndetësisë e “Maqedonisë së Veriut ka përditësuar listën esenciale të barnave dhe në të për herë të parë janë përfshirë barna për lënien e duhanit dhe mjete kontraceptive. Bëhet fjalë për flasterë dhe çamçakëzë me nikotinë. Qëllimi është të rritet qasshmëria e tyre në vendin tonë, që nevoja për to të njihet nga publiku dhe nga kompanitë farmaceutike, të përdoren më gjerësisht dhe të mund të përshkruhen nga mjekët amë”, u shpreh Aliu.
Drejtoresha e Institutit për shëndet Publik, Maria Andonovska, tha se gjendja me përdorimin e duhanit në vendin tonë është shqetësuese.
“Sipas rezultateve të Institutt për Shëndet Publik nga hulumtimi i vitit 2023 në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, madje 45.4% e popullsisë së rritur janë deklaruar si duhanpirës aktivë. Gjithashtu, hulumtimi që kemi bërë në të gjitha shkollat, te fëmijët deri në moshën 16 vjeç, tregon gjithashtu përqindje të lartë. Kjo përqindje është dukshëm mbi mesataren evropiane, e cila është 25%. Përdorimi i duhanit lidhet drejtpërdrejt me një sërë sëmundjesh, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kronike të mushkërive, goditjen në tru, lloje të ndryshme të sëmundjeve malinje, probleme në shtatzëni dhe të ngjashme”, theksoi drejtoresha e Institutit për shëndet Publik, Maria Andonovska.
Analizat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë që përdorimi i duhanit e ngarkon Maqedoninë me kosto rreth 38 miliardë denarë në vit, dhe kjo është një sinjal i mjaftueshëm për të gjitha institucionet që të investojnë në kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme në masa dhe aktivitete për kontrollin e duhanit.
ARMEND MURSELI
