Maqedoni

Gjykimi për ish-gjykatësin Gjoko Ristov, jam i pafajshëm, 350 mijë eurot nuk janë të mia

28.05.2026 15:32

Me deklaratën “nuk ndihem fajtor as për veprën e parë as për veprën e dytë”...

Me deklaratën “nuk ndihem fajtor as për veprën e parë as për veprën e dytë”, ish-gjykatësi i Apelit, Gjoko Ristov, u përball sot me akuzat për fshehje pasurie dhe pastrim parash, pasi Prokuroria pretendon se në shtëpinë e tij familjare në Negotinë janë gjetur rreth 350 mijë euro të fshehura në mure dhe pas elementeve të kuzhinës.
 
Sipas Prokurorisë, paratë ishin të mbështjella në folie dhe të fshehura në tulla, ndërsa dyshohet se janë fituar përmes ndikimit gjatë kohës kur Ristov ushtronte funksionin e gjykatësit. Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva tha se ai nuk e ka deklaruar këtë pasuri dhe se shuma tejkalon dukshëm të ardhurat e tij zyrtare.
 
“Në thelb për mosparaqitjen e pronës edhe atë ato 350 mijë euro që janë gjetur e për të cilat mund të të trejgojmë me një matematikë dhe bazë të thjeshtë finansiare se nuk mund të jetë pronë që e ka poseduar në mënyrë legale. Kjo vepër penale në thelb i nënkupton ato elemente”, deklaroi Iskra Haxhivasileva nga Prokurore Publike.
 
Nga ana tjetër, mbrojtja i quajti akuzat “narrativë hollivudiane”, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që e lidhin Ristovin me paratë e gjetura. Avokati Zvonko Davidoviq deklaroi se pasuria u përket prindërve të tij dhe është fituar në mënyrë legale. Akuzat për larje parash i quajti sensacionalizëm.
 
“Mjekësia ligjore do ta bëjë atë ekspertizë . Kemi shumë vërejtje edhe të dëshmive që janë siguruar dhe mënyrën e mbledhjes së tyre dhe këtë do ta dëshmojmë gjatë procedurës.Është kërkuar ekspertizë finansiare e cila është pothuajse në përfundim, është kërkuar ekspertizë grafologjike. Është shumë e dyshime pasi që në të gjitha qeset në të cilat janë gjetur paratë në folitë e aluminiumit ekzistojnë numra të shkruar në secilën prej saje dhe duhet të vërtetojmë se shkrimi i kujt qëndron aty”, deklaroi avokati Zvonko Davidoviq.
 
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike, veçanërisht për shkak se Ristov për vite me radhë ka qenë pjesë e sistemit gjyqësor penal, ndërsa tani përballet vetë me drejtësinë si i akuzuar. Ristov ra në sy pasi fillimisht u arrestua ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa për të cilin u tha se kishte kërkuar para për të siguruar arrest shtëpiak te te gjykatësi Ristov.
 
FLORIJE KAMBERI