Maqedoni
Raporti i FSSH-së, rriten trajtimet spitalore në RMV
28.05.2026 16:08
Raporti analitik për trajtimin spitalor për periudhën 2023–2025 i Fondit për Sigurim Shëndetësor...

Raporti analitik për trajtimin spitalor për periudhën 2023–2025 i Fondit për Sigurim Shëndetësor të RMV-së tregon rritje stabile të numrit të pacientëve, buxhete më të larta dhe forcim gradual të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, theksuan në konferencën e sotme për media drejtori i Fondit Shëndetsor, Sasho Klekovski, dhe zëvendësdrejtori Sedat Bislimi.
Sipas të dhënave, në vitin 2025 janë trajtuar 194.230 pacientë, që paraqet rritje prej 5,1 për qind krahasuar me vitin 2023. Në të njëjtën periudhë, buxheti total spitalor është rritur për 24 për qind, duke arritur në 32,5 miliardë denarë.
“Më së shumti raste të ndryshme spitalore kemi në dy fusha, ato janë sëmundjet e syrit dhe sëmundjet e sistemit muskulo-skeletor, mbi 20 për qind. Kjo vjen si pasojë e përpjekjes për të reduktuar listat e pritjes për kataraktën në sëmundjet e syrit, ndërsa në kategorinë tjetër, operacionet e planifikuara të ijëve (kofshëve) e të ngjashme. Kemi një rënie në vitin 2025 të hospitalizimeve prej 3 për qind për sëmundjet qarkulluese ose kardiovaskulare, si dhe kemi një rënie të hospitalizimeve të ndërlidhura me shtatzëninë dhe lindjen prej 7.5 për qind, gjë që përsëri është një reflektim i ndryshimeve demografike që po ndodhin”, deklaroi drejtori i Fondit Shëndetsor, Sasho Klekovski.
Sa I përket kompleksitetit të rasteve, në krye janë spitalet e kardiokirurgjisë: SPQ “Sistina” – CMI 18,4 dhe SPQ “Filipi i Dytë”, pas të cilave vijojnë: Klinika Universitare e Hematologjisë – CMI 9,8 dhe Klinika Universitare e Kardiokirurgjisë Shtetërore.
Te spitalet e përgjithshme, SPQ “8 Shtatori” dallohet si i vetmi spital i përgjithshëm me vlerë në nivel klinike dhe praktikisht funksionon si qendër referente për Shkupin.
BELINDA KOKA ADEMI
