Botë
BE e ndarë për rolin në bisedimet e Ukrainës, debat për të dërguarin dhe presionin ndaj Rusisë
28.05.2026 17:28
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën për të diskutuar mundësinë...

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën për të diskutuar mundësinë e nisjes së bisedimeve të paqes për Ukrainën, por takimi u shoqërua me debate mbi rolin e Evropës në këtë proces dhe mënyrën se si duhet të trajtohen propozimet e ardhura nga Moska për një të dërguar të posaçëm.
Sipas disa prej tyre, çdo hap drejt negociatave duhet të shoqërohet fillimisht me rritje të presionit ndaj Rusisë, pasi ekziston mosbesim se ajo është e gatshme për një dialog të vërtetë paqeje.
“Ne duhet të jemi në tryezën e negociatave sepse nuk bëhet fjalë vetëm për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, por për paqen në Evropë në plan afatgjatë. Është e vështirë të parashikohet çfarë do të ndihmonte saktësisht. Ndoshta një i dërguar special, ndoshta dikush jashtë politikës aktive, por më shumë gjasa presioni ekonomik. Megjithatë duhet të kemi opsione”, deklaroi zyrtar i ministrisë së jashtme të Letonisë, Artjoms Ursulskis.
“Të gjithë po flasin se kush do të jetë personi që do të flasë me Putinin. Por realiteti është se Putin nuk dëshiron të flasë. Ai po shton presionin ndaj Ukrainës. Ky është një kurth që Putin po përpiqet t’ia vendosë Evropës”, u shpreh ministri i jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.
“Nuk është koha të diskutojmë emrat apo vendin në tryezë, por si të ushtrojmë presion shtesë mbi Rusinë dhe të rrisim ndihmën për Ukrainën”, theksoi ministri i jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys.
“Ndoshta një i dërguar special nuk është i domosdoshëm. Ajo që ka rëndësi është një zë i vetëm evropian. Nuk mund të kemi 27 që flasin në drejtime të ndryshme”, deklaroi ministri i jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
“Duhet një vendim i përbashkët, jo vetëm për një person, por edhe për përmbajtjen e negociatave. Duhet të përfshihen edhe fqinjët e drejtpërdrejtë të Rusisë”, u shpreh ministri i jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot.
“Evropa do të vendosë vetë për emrin e negociatorit, jo zoti Putin. Ky është vendimi ynë”, theksoi ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Propozimi rus për një të dërguar special evropian mbetet pjesë e diskutimeve të mëhershme diplomatike, ndërsa BE pritet të vijojë koordinimin për një qëndrim të unifikuar mbi rolin e saj në negociatat për Ukrainën.
FARIJE DAUTI BAKIU
