E ardhmja evropiane e RMV-së, rinia Socialdemokrate kërkon referendum

29.05.2026 14:49

Rinia socialdemokrate e Maqedonisë kërkon nga qeveria...

Rinia socialdemokrate e Maqedonisë kërkon nga qeveria të shpall referendum që të rinjtë të vendosin për ardhmërinë e shtetit dhe rrugën evropiane.

Trajçe Stojçevski, kryetar i Rinisë Socialdemokrate tha se nuk qëndrojnë arsyetimet e qeverisë se nuk ka para për mbajtjen e referendumit.

Ai e akuzoi kryeministrin se po e shpien vendin drejt izolimit.

“Kur ka para për tendera, për një aeroplan të ri dhe për jetën luksoze të Mickoskit dhe grupit të tij kriminal - duhet të ketë para edhe për një vendim mbi fatin e të rinjve, të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve. Çmimin më të shtrenjtë do ta paguajnë të rinjtë që do të vazhdojnë të emigrojnë. Maqedonia do të mbetet pa të rinj, pa popull, pa të ardhme. Të rinjtë nuk duan që Mickoski të vendosë në emrin e tyre, të formësojë fatin e tyre dhe kështu të ardhmen e tyre në një vend të bllokuar dhe të izoluar. Të rinjtë duan të vendosin vetë se në çfarë lloj vendi do të jetojnë.” – u shpreh Kryetari i Rinisë Socialdemokrate të Maqedonisë, Trajçe Stojçevski.

VMRO aludon për skemën e Filipçes

Nga VMRO – DPMNE konsiderojnë se kryetari i LSDM -së Venko Filipçe pranon pozicionet bullgare në vend se të mbroj interesat kombëtare maqedonase.

Ai aludon edhe në hapat të cilat do t’i ndiqte Filipçe.

“Fillimisht ndryshime kushtetuese, dhe pastaj ripërcaktim të historisë dhe identitetit. Filipçes nuk i intereson identiteti dhe integriteti maqedonas. Ai dëshiron vetëm të pranojë qëndrimet bullgare dhe ta vendosë Maqedoninë në një pozicion të nënshtruar, duke menduar se vetëm kështu do të vijë në pushtet.” – u shpreh Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.

Kërkesa për vetëprononcim të qytetarëve për të ardhmen evropiane erdhi fillimisht nga kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili tha se qytetarët do të duhet të prononcohen rreth procesit pasi kryeministri Mickoski këmbëngul se s’do të ketë lëshime për ndryshimet kushtetuese që procesi eurointegrues të vijoj para. (Meral Ismaili, TVM2)