SHBA-Iran, drejt zgjatjes së armëpushimit, Izraeli vazhdon sulmet në Gaza dhe Liban
SHBA-ja dhe Irani kanë arritur...

SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një kornizë për vazhdimin e armëpushimit edhe për 60 ditë shtesë, por vendimi përfundimtar ende varet nga presidenti amerikan Donald Tramp.
Marrëveshja pritet të mundësojë vazhdimin e ndalimit të zjarrit dhe të hap rrugë për negociata formale mbi programin bërthamor iranian.
Zëvendëspresidenti amerikan konfirmoi se bisedimet janë duke përparuar, por theksoi se ende nuk është e sigurt nëse Trump do të japë dritën jeshile për marrëveshjen e mundshme.
“Ekzistojnë disa detaje që duhet të zgjidhen dhe për të cilat do të duhet pak kohë. Për shembull, edhe nëse biem dakord për shkatërrimin e rezervave të uraniumit të pasuruar, si do ta realizojmë këtë? Ajo që dua të them është se po bëjmë përparim. Po arrijmë në një pikë ku potencialisht mund të ulemi dhe t’i zgjidhim këto çështje, por na duhet edhe pak më shumë përparim.” – tha Zv.Presidenti i SHBA-së, J.D. Vance.
Ushtria amerikane e akuzoi Iranin për shkelje të armëpushimit të brishtë, pasi Kuvajti njoftoi se kishte interceptuar raketa pas sulmit amerikan ndaj objekteve ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit.
Udhëheqësi suprem Moxhtaba Khamenei deklaroi se armiku përpiqet të krijojë përçarje për të kompensuar dështimet e tij.
“Plani i verbër i armikut, pas luftës së imponuar, presionit ekonomik, propagandës dhe rrethimit politik, është të krijojë përçarje dhe fragmentim shoqëror me qëllim që të kompensojë dështimet në fushën e betejës dhe ta gjunjëzojë kombin.” – u shpreh Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Ndërkohë, përplasjet vazhdojnë si në Liban ashtu edhe në Gaza. Ushtria izraelite njoftoi se ka vijuar sulmet ndaj objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit në fuqi, ndërsa grupi militant mori përgjegjësinë për disa sulme me dronë dhe raketa kundër trupave izraelite dhe zonave në veri të Izraelit. Paralelisht, Izraeli po vazhdon operacionet ushtarake edhe në Gaza, ku kryeministri Netanyahu deklaroi se kanë zgjeruar kontrollin ndaj territorit dhe kanë shtuar presionin mbi Hamasin.
“Jemi në një proces ku forcën tonë mund ta përdorim në shumë drejtime. Ende duhet ta shkatërrojmë Hezbollahun, por po e shtojmë presionin edhe ndaj Hamasit. Tani kontrollojmë 60% të territorit të Rripit të Gazës. Gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë ta përdorim dhe ta rrisim fuqinë tonë.” – u shpreh Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi më 19 janar 2025, pas marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësimin e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit. Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar, pasi sulmet izraelite kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
