Botë

Organizata e Kombeve të Bashkuara, nevojitet de-përshkallëzim urgjent në Ukrainë

29.05.2026 16:44

Përshkallëzimi i fundit i luftimeve dhe përdorimi i armëve në Ukrainë...

Përshkallëzimi i fundit i luftimeve dhe përdorimi i armëve në Ukrainë kanë shtuar shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit.
 
Para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u kërkua ulje urgjente e tensioneve, armëpushim i menjëhershëm dhe rikthim te diplomacia, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, theksoi se rruga aktuale nuk është e qëndrueshme dhe rrezikon përshkallëzim të pakontrolluar.
 
“Drejtimi i luftës, përshkallëzimi dhe intensifikimi që po shohim, rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Ajo që nevojitet tani është de-përshkallëzim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm. Ajo që nevojitet tani është diplomacia, një armëpushim i plotë dhe pa kushte, gjithashtu krijimi i kushteve për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
 
Nga ana tjetër, përfaqësuesi rus në OKB, akuzoi Perëndimin për standarde të dyfishta dhe tha se veprimet ushtarake ruse janë përgjigje e sulmeve ukrainase. 
 
“Pse vdekja e të miturve në një vend bëhet arsye për deklarata të forta dhe dënime, ndërsa vdekja e fëmijëve në Starobelsk përballet me heshtje? Kjo është një shfaqje e qartë e standardeve të dyfishta dhe hipokrizisë së Perëndimit. Megjithatë, ky akt terrori nuk mbeti pa përgjigje. Forcat e armatosura ruse kryen një sulm masiv ndaj objekteve ushtarake dhe industrisë ushtarake të Ukrainës”, u shpreh përfsqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya.
 
Pala ukrainase, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar si propagandë dhe duke kërkuar rritje të mbrojtjes ajrore dhe mbështetjes ndërkombëtare. 
 
“Narrativa e Starobelsk është një shembull tipik i propagandës cinike ruse, një konstrukt i fabrikuar dhe i ndërtuar me gënjeshtra. Po shohim një tjetër përpjekje të Federatës Ruse dhe të sistemit të dezinformimit të lidhur me zotri Putin për të krijuar një narrativë të rreme viktimizimi”, theksoi përfaqësuesi i Ukrainës në OKB, Andriy Melnyk.
 
Në terren, raportohen sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës dhe qyteteve në Ukrainë, ndërsa Kievi mbetet në gatishmëri për goditje të reja dhe kërkon ndihmë më të madhe nga partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e civilëve.
 
FARIJE DAUTI BAKIU